Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Skënderaj i cili dyshohet se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare duke lidhur martesa false në mes të kosovarëve dhe atyre të shteteve europiane.
Personi me iniciale K. B., gjithashtu dyshohet se ka lëshuar certifikata martesore pa prezencën e çifteve martesore dhe më pas këto certifikata janë përdorur në Gjermani për rregullimin e lejeve të qëndrimit atje.
“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Prishtinë, me datën 14 dhjetor 2018 ka pranuar autorizim nga Prokuroria Themelore Prishtinë për të zhvilluar hetime, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar’ nga neni 422 i KPRK-së dhe ‘legalizim i përmbajtjes së pavërtetë’ nga neni 403 i KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“I dyshuari, i cili punonte si zyrtar në Zyrën e Gjendjes Civile në Skenderaj, ka lidhur martesa fiktive në mes të nënshtetasve të RKS-së dhe atyre të BE-së, me ç’rast edhe ka lëshuar certifikata martesore pa prezencën e çifteve martesore. Këto certifikata janë përdorur në Gjermani për rregullimin e lejeve të qëndrimit atje”.
Me vendim të prokurorit në Prokurorinë Themelore – Prishtinë të dyshuarit të lartcekur i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.