Gazetar: Zekirija Haxhiu
Artan Grubi ndodhet në Shqipëri. Kështu pohojnë nga koalicioni VLEN. Ata i bëjnë thirrje Grubit që të kthehet në vend dhe të përballet me drejtësinë dhe të mos e keqpërdorë Shqipërinë si një strehë që grumbullon të korruptuarit.
“Grubi qenka strukur në Shqipëri e jo në Kosovë ashtu siç aludohej. E rëndësishme është që nëse ka ndarë mendjen të vazhdojë jetën si “kaçak” t’i zgjedh vendet. Assesi nuk duhet të vazhdojë të qëndrojë në Shqipëri, ky shtet për shqiptarët ka vlerë dhe peshë të veçantë, tani nuk duhet të perceptohet si strehimore e të korruptuarve. Nëse ke ndarë gjithçka me Ali Ahmetin ndaji edhe këto ditë të zeza për ty, fajin e keni të përbashkët mos i vuaj pasojat i vetmuar. Por, gjithsesi të bëjmë thirrje serioze e të sinqertë, kthehu edhe pse fundin e kishe kaq, por të paktën mundësoja vetes një përfundim normal pas një veprimtarie të hidhur”, thonë nga VLEN.
Ndërkohë nga LSDM dyshojnë se largimi i Grubit nga vendi, është bërë në koordinim mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Kërkojnë përgjegjësi nga Toshkovski.
“Pushteti ka lejuar Grubin që lirisht ta kalojë kufirin, për çka ekzistojnë dyshime të bazuara se bëhet fjalë për marrëveshje mes DPMNE-së dhe BDI-së. Kufiri i Kosovës është i hapur për ikjen e kriminelëve. Funksionarët qeveritar në vend që të licitojnë, duhet të japin përgjegjësi. Për ikjen e Grubit, gjegjësisht lëshimin e tij jashtë kufijve të shtetit, Toshkovski deri tani duhej të jepte dorëheqje”, thonë nga LSDM.
Por për VMRO-DPMNE-në, është absurde që LSDM kërkon llogari për Grubin, për shkak se siç thonë, derisa bashkëqeverisnin me të, nuk e ngritën asnjëherë zërin kundër tij.
“Të vjen keq të shohësh si tani LSD po përpiqet të shpikë skenarë, kur derisa ndanin pushtetin, kishin frikë të përmendin Grubin, e jo më ta thërrasin në përgjegjësi. Edhe pse e dinin për krimin e Grubit, edhe pse VMRO-DPMNE dhe mediat thërrisnin LSD-në si pushtet, ata nuk ndërmorën asgjë, sepse me rëndësi për ta ishte të qëndrojnë në pushtet”, tha Brane Petrushevski – VMRO-DPMNE.
Nga ana tjetër BDI vazhdon të këmbëngulë në ligjin për masa restriktive të cilin e kishin propozuar para një viti derisa ishin në pushtet.
“Asnjë parti politike nuk mund të mbahet përgjegjëse kolektivisht për veprimet e individëve të caktuar, por të gjithë ne mbajmë përgjegjësi për politikat që miratojmë dhe për forcimin e sundimit të ligjit. Prandaj, BDI sfidon hapur VMRO-DPMNE-në dhe partnerët e saj të rikthejnë ligjin për masa restriktive dhe ta miratojnë pa vonesa”, thonë nga BDI.
Ky ligj parashihte që ndaj personave në listën e zezë të SHBA-ve, të zbatohen masa restriktive edhe në Maqedoninë e Veriut. Në bazë të propozimit të atëhershëm parashihej që zyrtarët nëse janë në funksion të shkarkohen përkohësisht deri në vërtetimin e akuzës, tu ndalohet të marrin pjesë në tenderë, si dhe konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë ilegale. Por ky propozim ligj nuk u shqyrtua në Kuvend./Alsat.mk
СДСМ – МК
Власта го пушти Груби слободно да ја премине границата, за што постојат основани сомнежи дека станува збор за договор меѓу ДПМНЕ и ДУИ. Косовската граница е решето, отворена за бегање на криминалци. Владините функционери наместо да лицитираат треба да понесат одговорност. За бегството на Груби, односно пуштањето надвор од границите на државата Тошковски веќе требаше да си поднесе оставка.