Policia e Shkodrës ka goditur një tjetër rast të kultivimit të paligjshëm të lëndëve narkotike, në kuadër të operacionit të gjerë antidrogë “Koordinata”, duke asgjësuar mbi 12,200 bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa në disa zona të qarkut.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me komisariatet e varësisë, duke përdorur metoda të avancuara monitorimi, përfshirë dronë, inteligjencën policore dhe patrullat në terren, me qëllim parandalimin dhe goditjen e këtij fenomeni kriminal.
Raste konkrete:
Pult: Në njësinë administrative janë asgjësuar 455 bimë narkotike. Për këtë rast, është nisur procedimi penal ndaj A.M., inxhinier pyjesh, për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”.
Temal, Vau i Dejës: Në këtë zonë u identifikuan dhe u asgjësuan 11,748 bimë narkotike. Si rezultat, janë proceduar penalisht:
Gj.G., kryeplaku i fshatit Kllogjen;
P.Sh. dhe F.G., vrojtues pyjesh.
Të tre akuzohen për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se kanë lejuar ose nuk kanë raportuar kultivimin e kanabisit në territorin që mbulonin.
Njoftimi i policisë:
Qarku Shkodër/ Vijon operacioni policor “Koordinata”, për parandalimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike!
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe Komisariatet në varësi të saj, në kuadër të operacionit të gjerë “Koordinata”, kanë intensifikuar kontrollet në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të paligjshëm të bimëve narkotike.
Bazuar në inteligjencën policore dhe monitorimin nga ajri me dronë dhe toka me patrulla këmbësore, janë lokalizuar dhe asgjësuar 12 203 bimë e fidanë të dyshuara narkotike, të llojit cannabis sativa.
Rastet konkrete:
Njësia administrative Pult, Shkodër.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 455 bimë narkotike. Për këtë rast nisi procedimi në gjendje të lirë ndaj inxhinierit të pyjeve, shtetasit A. M., për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi.
Njësia administrative Temal, Vau i Dejës.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës asgjësuan 11 748 bimë narkotike. Për këtë rast u proceduan:
Kryeplaku i fshatit Kllogjen, Gj. G., për shpërdorim detyre;
Dy vrojtues pyjesh, shtetasit P. Sh. dhe F. G., për shpërdorim detyre.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe ndjekjen penale të autorëve të këtyre rasteve.



