Presidentja, Vjosa Osmani sot me rastin e 26 vjetorit të Masakrës së Srebrenicës ka kujtuar barbarinë e regjimit serb të Millosheviqit.
Osmani ka shkruar se dhimbjen e ndanë bashkërisht me nënat e Srebrenicës.
”Sot dhimbjen e nënave të Srebrenicës e ndajmë bashkërisht! Mbetjet mortore të 19-të të vrarëve atëkohë (bashkë me mbi 8 mijë boshnjakë të tjerë) sot do të kenë adresën e përhershme. Një 16-vjeçar do të jetë në mesin e atyre që do të varrosen sot, 26-vjet pas vrasjes”, ka shkruar Osmani në facebook.
Presidentja e ka përmendur edhe faktin që ditë më parë Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, me të cilën Kosova e dënon gjenocidin e organizuar dhe të kryer nga forcat gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit.
”Akte të tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë, por edhe të historisë. Srebrenica është kujtesa jonë e freskët dhe leksion se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten. Askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës. Reçaku, Meja, Pokleku, Prekazi, si dhe shumë masakra të tjera në pjesë të ndryshme të Kosovës, janë pjesë e të njëjtës dhimbje e të njëjtit përjetim”, ka shkruar tutje Osmani.
Sipas Osmanit, ka vetëm një të vërtetë në Srebrenicë, ka ndodhur gjenocid dhe këtë duhet ta pranoj secili dhe sipas saj, duhet ta themi të gjithë dhe ta kujtojmë gjithnjë.
Ndryshe, Bosnja e Hercegovina sot shënon 26 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8 mijë burra dhe djemë myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si ”vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara. Ndërsa në seancën e 7 korrikut (2021), deputetët e Kuvendit të Kosovës me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim kanë miratuar rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë. /21Media