“Nuk mund të mos ndjehesh i mposhtur, i përbuzur dhe i mjerë kur dëgjon ta kenë rrahur gazetarin, se para të fejuarës së vet, e kanë dhunuar drejtorin e Gazetës Online “Insajder”! Duke e ditur se jetojmë nëpër shtete ku paguajmë haraçin e shqiptarisë dhe atë të lirisë, është e pritshme që dhunuesit kurrë të mos zbulohen! Dhe duke jetuar në vende ku të vërtetës nuk i frikohen politikanët hajdutë e kriminelë, por lajmësit që e kumtojnë dhe e shpalosin atë, të gjithë ne duhet të ndjehemi të mposhtur e të rrahur! Si dhe duhet ta pranojmë se kot që i këndojmë trimërisë me çifteli me dy tela, mëkot që në çdo lagje kemi nga tre heronj, kot që në çdo katund kemi me dhjetëra doktor shkencash….: aty ku lajmësinë e rrahin para syve të gruas së tij, nuk ka as burrni, as çfarëdo qoftë tjetër nga ajo që mburremi ne shqiptarët!”, ka shkruar shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti, lidhur me rrahjen e gazetarit Parim Olluri.