Autobombardimet e Kosovës

Flaka Surroi

Bombat që i prodhuam vetë na kanë kushtuar gati 20 vjet jete. Atë që si shoqëri kemi lejuar të na ndodhë në politikë, arsim, kulturë, shëndetësi, infrastrukturë, mjedis, tregti, bujqësi…, janë krejt bomba atomike që ia kemi hedhur vetes. E kemi mbytur zhvillimin të kushedi sa brezave duke marrë ajër të ndotur; duke ua lënë krejt pasurinë hajnave dhe mashtruesve; duke ngrënë mish të vjetër e domate silikoni; duke besuar në përrallën se jemi më të arsimuarit kur as shqip nuk dimë të flasim, që jemi më të shëndoshët kur kërkojmë ndihmë profesionale madje në Beograd; kur krejt e presin liberalizimin për të ikur prej këtu, me të famshmen “kush del i fundit le t’i fikë dritat”

Sot 19 vjet fiks në 20:00 krisi bomba e parë që do ta çlironte Kosovën përfundimisht. Nuk do ta harroj përjetë kërpudhën e madhe e të kuqe, e cila vezullonte në terrin që e kishte kapluar Kosovën, kur serbët kishin vendosur të na e impononin reduktimin e dhunshëm, diçka që sot për pikë të qejfit na e bën KESCO.

Për të gjithë ne ishte çast gëzimi, i cili për jo pak familje anembanë Kosovës do të shndërrohej në ankth e tragjedi. Hakmarrja e serbëve për përkrahjen që na e jepte aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, mori shumë jetë në mënyrën më mizore të mundshme. Ato jetë qenë flijimi më i madh për jetën tonë në liri. Liri, të cilën shumica dinë ta çmojnë se frymojnë më lirshëm, përderisa ka të atillë që e kanë kuptuar edhe si të drejtë absolute për të bërë çfarë t’u teket me pushtetin që ia kanë siguruar vetes në emër të po asaj lirie që na e solli NATO-ja.

Bomba 1: dialogu

Kosova shtet i hyri një dialogu me Serbinë e pakokë dhe e pakoordinuar. E nisëm një proces, i cili kishte për qëllim avancimin e pozitës së Serbisë karshi BE-së, dhe ia dolëm që ta plotësonim këtë dëshirë.

Pa konsensus dhe me shpërfillje të plotë të Kuvendit, u nis një proces për “zgjidhjen e çështjeve teknike”, prej të cilave me gjasë nuk është zgjidhur asnjë. Sot e kësaj dite, pas shtatë vjetësh, ne ende kemi probleme me dokumente kadastrale, meqë kemi vendosur që origjinalet t’ia lëmë Serbisë; ende kemi problem me diplomat; ende kemi problem me energjinë; ende kemi problem me qarkullim të lirë; ende kemi problem me çfarëdo që është diskutuar në Bruksel.

Aq kemi problem, sa njerëzit tanë nuk duan të kuptojnë se me Serbinë, në rast se nuk ka ndonjë stupc që i rri prapa, s’ka marrëveshje, sepse nuk ka sinqeritet. Të mos shkojmë më larg, mjafton vetëm rasti i fundit i hendbollisteve të Kosovës U-20, që nuk u lejuan të zhvillojnë ndeshjen me Serbinë fare. Fillimisht u ishte thënë se nuk mund t’i ekspozonin simbolet shtetërore, e më pas nuk lejuan fare të luajnë, për shkak “se policia nuk ka pse e rrah popullin e pakënaqur” që do të donte të na fshinte nga faqja e dheut. Aq është e madhe urrejtja ndaj shqiptarëve, sa që nuk mund ta kamuflojnë as pozat me Mogherinin në Bruksel.

Por asgjë s’janë këto që u përmendën lart, çka është puna e Zajednicës. Dhe edhe pse nuk është e shkruar askund në kushtet për liberalizimin, nuk duhet përjashtuar se kjo do të jetë tema e ardhshme e nxehtë, e cila duhet të trajtohet nga Kuvendi i Kosovës. E nëse deputetët ende nuk e kanë të qartë, ajo copë letre e nënshkruar nga Thaçi me Daçiqin në Bruksel nënkupton autonominë territoriale për serbët e veriut që prek rregullimin shtetëror të Kosovës së përcaktuar me Kushtetutë.

Bomba 2: demarkacioni

Duke u nisur nga konstelacioni i ri politik në Kuvend, gjasat do të jenë se Zajednica do të mundë të votohet. Njësoj ashtu siç kaloi demarkacioni me Malin e Zi. LDK-ja do ta votonte në bllok, për shkak se marrëveshjen e dytë e ka nënshkruar shefi i partisë së tyre; AAK-ja e NISMA do ta votonin, sepse ia kanë borxh PDK-së, ish-shefi i së cilës e ka nënshkruar marrëveshjen e parë; serbët natyrisht se do ta votonin, sepse me të i tejkalojnë garancitë që tashmë i kanë, e minoritetet e tjera në këtë rast nuk do të çonin kandar edhe po qe se do të votonin kundër. Për VV-në dhe VV-në Minus e besoj do të mbetej i pandryshuar qëndrimi i votës kundër.

Në emër të një konsensusi shumë artificial, u arrit votimi i demarkacionit në seancën e së martës, ku sërish doli në pah gazi lotsjellës. Të vetmuar, deputetët e VV-së arritën të tregonin se ruajtën konsistencën dhe se janë hedhës të mirë gazi. Kryeministrit, që hoqi dorë nga kauza e vet politike, ia falën 205 mijë nënshkrimet e peticionit, një kopje të së cilës ai vetë dhe dhunshëm, e kishte futur në Kuvend. Vetë lënia e gjithë atyre regjistratorëve në tokë, dëshmon se çfarë vlere ka fjala e popullit në këtë vend. Nuk e bën kush hesap, pos kur vjen koha për zgjedhjet.

Demarkacioni na i hëngri tre vjet, për shkak të mungesës absolute të konsensusit; për shkak të shpërfilljes arrogante që Thaçi ia bëri Kuvendit; për shkak se përherë mungoi vullneti për ta zgjidhur këtë çështje ndryshe.

Deputetët e Kuvendit që e votuan demarkacionin do të hyjnë gjithsesi në histori — për të mirë ose për të keq — e këtë koha do ta dëshmojë. Përderisa ende nuk dihet nëse Kosova ka humbur territor me këtë marrëveshje, në mesin e deputetëve ka pasur të tillë që janë deklaruar se me gjithë humbjet është më mirë të votohet për hir të liberalizimit. Çmim shumë i madh, e besoj, që nuk shpaguhet as me shëtitje nëpër Evropë. Klauzola që parasheh korrigjimin e kufirit do të aplikohet për pak territor — por kurrsesi për 8 mijë hektarët, të cilët u përmendën gjithë këta vjet.

Pra, nëse ndonjëherë do të dalë e vërteta në pah, e del se s’ka humbje territori, këta deputetë do të njihen si zhbllokuesit e liberalizimit. Por, nëse dëshmohet e kundërta, pra humbja e gjithë këtij territori, të gjithë ata deputetë që e kanë votuar këtë ligj do të mbahen mend si ata që e falën një copë territori të Kosovës me vullnet të vetin. Do të barazohen me po ata që dikur e kishin votuar shuarjen e autonomisë së Kosovës më 1989.

Bomba 3: gjyqësia

Plot gojën “i plotësuam të gjitha kushtet” — politikanët e koalicionit qeverisës tash verbalisht i bëjnë presion Evropës që të na i liberalizojnë vizat sa më parë. Atë kushtin tjetër, luftimin e krimit dhe korrupsionit nuk e marrin fort parasysh, sepse as nuk janë të interesuar të merren me të, e as që duan ta luftojnë vetveten.

Në vazhdën e reagimeve pas “suksesit” të madh, përkatësisht kalimit të demarkacionit, më i dalluari dhe njëkohësisht më skandalozi qe ai i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Pra, gjyqësia priti që të kalojë demarkacioni ashtu që të mblidhej për “t’i koordinuar punët që Kosova të arrijë edhe plotësimin e kushtit të fundit për liberalizimin e vizave, luftimin e korrupsionit”.

Në vend se këtë punë ta bënin në formë të pavarur, e që lufta kundër krimit e korrupsionit të kishte sjellë rezultate qëmoti, me këtë mbledhje vetëm e dëshmuan se sa të varur janë nga politika. Ngase e pritën sinjalin që t’ia nisin të merren, kishe më seriozisht, me punën e tyre.

Për të vazhduar të dëshmojnë se sa të varur janë, lejuan që në takim të merrte pjesë pikërisht ai që nuk do të duhej: ministri i Drejtësisë. Një gjë, që do të mundë të konsiderohej vepër penale u arsyetua kështu nga kryesuesi i KGJK-së: “Takimi ka qenë i këtij nivelit, dhe meqenëse tash… kanë mund të dalin ato diskutime… në atë aspektin që ku me ditë sa konfidenciale, me vetë faktin që e kemi ftuar dhe kemi pranu që do ta mbajmë një konferencë për shtyp, do të thotë nuk kemi pasë asgjë kështu në raport me ju që…”

Pra, sipas kësaj deklarate, gjyqësia te ne funksionon me: ku me ditë sa konfidenciale, ndoshta konfidenciale, varësisht për kë sa konfidenciale…, meqë në këtë takim u fol për bazën e shënimeve të 39 zyrtarëve të shënjestruar — ani që Lumezi u përkujdes të thoshte se s’u fol me emra të përveçëm.

E për të treguar se diçka do të lëvizë edhe në këtë drejtim tash do t’ia nisin të dalin puplat nga institucionet e ndryshme shtetërore, që në të shumtën e rasteve janë treguar të shurdhra ndaj gjetjeve të Auditorit të Përgjithshëm në vitet e shkuara. Të parat dolën nga Agjencia Kosovare e Produkteve dhe Pajisjeve Medicinale — me një 400 mijësh të zhdukur në emër të udhëtimeve zyrtare të paarsyetuara. E sinqerisht, po t’i hynin si duhet këtyre shpenzimeve që kot së koti i bëjnë zyrtarët tanë nga të gjitha dikasteret, do të dilnin krokodilë të përshkruar me fatura false e me kushedi çfarë letrash të tjera me të cilat arsyetohen këto shpenzime.

Nuk e di se kush mund të jenë këta 39 zyrtarë që do të hetohen, porse mbase për liberalizim edhe do të nisin procedurat kundër tyre. Ama politika e di shumë mirë se nuk mjaftojnë nisjet e procedurave, sepse Evropa do që të shohë njerëz në burg. E me hapin me të cilin zhvillohen procedurat gjyqësore, as ndryshimi i Kodit Penal nuk do t’i përshpejtojë ato, për shkak se i mungon pjesa tjetër e mekanizmit: Kodi i Procedurës Penale, që nuk do të kalojë para qershorit.

E gjyqësia mund të dalë e të lëvdohet se ka bërë punë të mirë, por fakti mbetet: nuk ka asnjë zyrtar i lartë i vetëm që është prapa grilave. Dhe nuk dihet që dikujt t’i jetë konfiskuar pasuria e fituar në mënyrë joligjore.

* * *

Bombat e NATO-s u hodhën për të na liruar nga represioni, dhuna dhe ngufatja e të drejtave elementare të njeriut. Kur u ndalën, besuam se kishte mbaruar ankthi. Besuam se tash gjërat do të ishin më ndryshe.

E kishim pasur gabim.

Bombat që i prodhuam vetë na kanë kushtuar gati 20 vjet jete. Atë që si shoqëri kemi lejuar të na ndodhë në politikë, arsim, kulturë, shëndetësi, infrastrukturë, mjedis, tregti, bujqësi…, janë krejt bomba atomike që ia kemi hedhur vetes. E kemi mbytur zhvillimin të kushedi sa brezave duke marrë ajër të ndotur; duke ua lënë krejt pasurinë hajnave dhe mashtruesve; duke ngrënë mish të vjetër e domate silikoni; duke besuar në përrallën se jemi më të arsimuarit kur as shqip nuk dimë të flasim, që jemi më të shëndoshët kur kërkojmë ndihmë profesionale madje në Beograd; kur krejt e presin liberalizimin për të ikur prej këtu, me të famshmen “kush del i fundit le t’i fikë dritat”.

E keqja është se kjo nuk përfundon këtu. Prej ditësh ka bisedime që zhvillohen prapa dyerve të mbyllura dhe larg Kosovës. Dhe sërish nga i njëjti njeri, Thaçi, që e shpërfill për të satën herë edhe Kuvendin, edhe Qeverinë. Aftësitë e tij prej negociatori tashmë i kemi parë – i dështuar deri në palcë me Zajednica e memorandume, që kanë fuqi vetëm të njëanshme juridike.

Cila do të jetë bomba e ardhshme? Këmbimi i territorit e me të edhe falja e “Trepçës”, për shembull?

Hiq nuk do ta përjashtoja — posaçërisht duke e marrë parasysh faktin se Specialen ia dolën ta fusin në gjumë. Duket se atyre që bëjnë makropolitikë iu vyen dikush “që kryen punë”. Dhe këtu hiq nuk çon kandar kush i vuan pasojat. Me rëndësi me shitë mend.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme