Gazetare: Evi Shkopi
Autobusët privatë të linjave 9, 12, 22, 23 dhe 45 të “Slloboda Prevoz” edhe sot nuk dolën në qarkullim. Greva e shoferëve vazhdoi edhe sot në shenjë revolte për pagesat e pashlyera ndaj tyre nga ana e Ndërmarrjes për Qarkullim Publik që është nën kompetenca të Qytetit të Shkupit. Lenin Jovanovski nga “Slloboda Prevoz” tha se kërkojnë takim me kryetaren e Qyteti të Shkupit, pasi sipas tij ajo është informuar gabim për kërkesat e tyre. Borxhi i qyteti ndaj tyre, siç tha Jovanovski, është më shumë se 61 milion denarë. Ai përmendi se shoferët po mendojnë edhe për bllokimin e rrugëve.
“Nuk kërkojmë shlyerjen e të gjithë borxhit, i cili ndaj “ Sloboda Prevoz” është mbi 61 milionë denarë dhe mbi 30 milionë denarë ndaj “ Makekspress”, por të kemi pagesa të vazhdueshme që do të mjaftojnë që shoferët të mund të kryejnë punët bazë. Së pari të kenë naftë për autobusët, që të mund të lëvizin. Se si do të jenë qëndrimet pas grevës do të shohim më tutje. Është e qartë se na detyrohen për një pjesë të muajit gusht, gjithë muajin shtator dhe gjithë muajin tetor”, deklaroi Lenin Jovanovski- “Sloboda Prevoz”.
Kjo deklaratë vjen pasi të martën transportuesit privatë kanë mbajtur takim me sekretarin e përgjithshëm të Qytetit të Shkupit, Zoran Gligorov dhe më pas kryetari ka dalë në një konferencë për media me pretendimin se nuk janë respektuar disa dispozita të kontratave me ta. Kryetarja e Qytetit të Shkupit nuk doli me reagim sot pas kësaj deklaratë të Lenin Jovanovskit. Nga Qyteti i Shkupit thonë se Danella Arsovska qëndrimin e saj për këtë çështje e shpalosi në konferencën e një dite më parë. Kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska tha se nuk ndjehet fajtore për borxhin, madje i akuzoi transportuesit privat për parregullsi në punë.
“Nuk është ashtu, ata kanë zgjidhje ligjore përkatëse, nëse mendojnë se është ashtu, le ti ndërmarrin. Edhe sot iu bë oferta, nëse nuk dëshirojnë të bashkëpunojnë dhe punojnë më tej, të prishet ajo marrëveshje. Më me rëndësi para së gjithash është të mbrohet interesi publik”, tha Danella Arsovska, Kryetare e Qytetit të Shkupit.
Lidhur me këtë situatë kanë reaguar edhe nga VMRO-DPMNE nga ku thonë se e vetmja kurë për paaftësinë e Danela Arsovskës janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Nga VMRO thonë se LSDM kërkon kompetencat që firmat e tyre të marrin paratë. Ndërsa nga LSDM-ja me kundër reagim se përgjegjësia për dëmin që ka pësuar Qyteti i Shkupit këtë vit është e VMRO-DPMNE-së dhe kryetarit të shquar Mickoski pasi situata e krijuar tregon gjithë paaftësinë e atyre që kërkuan votat dhe mbështetën Danella Arsovskën. /Alsat.mk