Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Situata e përmbytjeve në Shqipëri vijon të mbetet shqetësuese. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se deri më tani në rang kombëtar janë evidentuar 1.587 banesa me prani uji, ndërsa 339 persona janë evakuuar për arsye sigurie. Sipas tij, përmbytjet kanë prekur edhe 13.211 hektarë tokë bujqësore. Situata më problematike paraqitet në qarqet Gjirokastër, Vlorë, Fier dhe Durrës, ku reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje dhe vështirësi në qarkullim. Në qarkun e Vlorës, gjendja mbetet kritike. Katër fshatra në zonën e Novoselës janë izoluar si pasojë e përmbytjeve, ndërsa në qytetin e Vlorës nënkalimi i Bishanit është bllokuar nga uji, duke pamundësuar kalimin e automjeteve dhe këmbësorëve.
Rama ka garantuar banorët e prekur se institucionet shtetërore do t’u qëndrojnë pranë dhe do të përmbushin çdo detyrim ndaj tyre. Sipas të dhënave zyrtare, në total 54 shkolla nuk kanë zhvilluar mësim gjatë ditës së sotme, për shkak të kushteve të krijuara nga reshjet dhe prania e ujit. Në terren janë angazhuar rreth 50 forca dhe mjete të shumta, përfshirë eskavatorë, mjete zjarrfikëse, mjete transporti të bashkive, si edhe mjete të vëna në dispozicion nga subjekte private, me qëllim përballimin e situatës dhe normalizimin sa më të shpejtë të kushteve.
Ndërkohë situata kritike vazhdon të mbetet edhe në Kosovë për shkak të përmbytjeve. Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se në Kosovë janë të evidentuara 491 kilometra lumenj që janë të ekspozuar ndaj vërshimeve dhe përmbytjeve, dhe se janë 398 zona me rrezik të konsiderueshëm nga përmbytjet, prej tyre 108 zona janë në rrezik ekstrem.
Ndërsa, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë periudhës 03 deri më 08 janar 2026, shumica e lumenjve në vend shkaktuan vërshime dhe përmbytje, disa prej të cilave me përmasë që ndodh një herë në 50 vjet.
Sipas njoftimit zyrtar, disa lumenj vijojnë të paraqesin rritje të lehtë të nivelit të ujit. Konkretisht, bëhet fjalë për Drinin e Bardhë në rrjedhën e poshtme, si edhe për lumenjtë Sitnica, Morava e Binçës dhe Lepenci, ku është konstatuar një rritje e lehtë e prurjeve.



