Gazetare: Melihate Rustemi
Disa banorë të Bllacës dhe fshatit Seçishtë nga ana e Kosovës vazhdojnë të kundërshtojnë çmimin e caktuar nga Institucionet përkatëse të vendit lidhur me shpronësimin e tokave të tyre. Në këto të fundit duhet të kalojë autostrada Shkup-Bllacë punimet për të cilën kanë nisur para disa muajsh, shkruan Alsat.
Siç thanë banorët, çmimi i caktuar prej 4 euro për metër katror nuk është i pranueshëm, ndërkohë që një çmim tjetër akoma nuk u është ofruar pavarësisht se punimet realizohen në tokat e tyre.
“Dhjetë muaj ka që janë prish tokat edhe asnjë përgjigje nuk kemi. Ku keni pa 4 euro me paguar tokën, 17 euro e kanë paguar malin e 4 euro tokën e punuar që kemi mbajt familje me të”, thotë një banor i Kosovës.
“Kanë ardhur këtu dhe kanë filluar punën kurse neve na kanë lënë në harresë, edhe ne po presim nga shteti po edhe vet shteti nuk është i drejtë për arsye se e shohim se në zyrat e veta i mbajnë dosjet, nuk na thërret askush”, tha një banor i Bllacës.
Të revoltuar nga neglizhenca e institucioneve përgjegjëse, banorët nuk përjashtojnë mundësinë e bllokimit të punimeve në teren.
“Atëherë kur na pat premtuar Bujar Osmani, në Bllacë, na tha se edhe një dru nëse ekziston në tokën tënde do të paguhet, e tash as toka nuk është duke u paguar e jo më drutë, nuk po e dimë ku është llogaria jonë, ku kemi mbet. Kemi mbet askund hiç. Nëse janë të gjithë të organizuar dhe nëse janë të gjithë të një mendimi ne prej nesër e bllokojmë punën, nuk e lëmë një me hy brenda. Le të vijnë dhe le të na marrin parasysh neve dhe jo ne i ndjek ata po ata duhet të vijnë pas nesh, me na tregu se deri ku është puna jonë”, thekson një banor i fshatit Seçishtë.
Avokati Mefail Arsllani, që përfaqëson numrin më të madh të banorëve në këtë problematikë tha se çështja pritet të merr epilog përfundimtar në Gjykatën Civile. Mirëpo, nga kjo e fundit nuk kanë asnjë ftesë për seancë që nga mesi i vitit 2020. Gjithashtu, Arsllani tha se tashmë kanë kryer të gjitha ekspertizat me ekspert përkatës të cilët vlerësojnë se çmimi i ofruar prej 4 euro nuk është I përshtatshëm më gjendjen reale të tokave./ Alsat.mk