Fadil Guci nga Lipjani, sot do të kishte dy binjakë të shëndosh e nga 11 vjeçar, nëse njëri nga ta nuk do të vdiste e tjetri mos të sëmurej rëndë.
Ai para 11 vitesh, u gëzua shumë kur u bë baba i dy binjakëve, të cilët lindën normal dhe pa ndonjë problem, por gjithçka u kthye mbrapsht kur i dërgoi për vaksinim në Prishtinë.
Pas vaksinimit, binjaku i parë vdiq për arsye të panjohura, kurse binjakun tjetër vaksina e la me pasoja në tru, për të cilat mjekim nuk po gjen në Kosovë.
Indeksonline ishte në shtëpinë e Fadil Gucit në Lipjan, i cili foli për binjakët, mjekimin e djalit të sëmurë dhe kushtet e rënda në të cilat jeton.
“I kam pasur dy binjakë si molla, i kam dërgu në Prishtinë për kontroll, por pas vaksinimit të dytë, i madhi vdiq e Mendimi (binjaku tjetër) mbeti i shtangur. Prej atëherë më Mendimi as nuk rri në këmbë, as nuk mund të rri ulur e as nuk mund të drejtohet”, nis rrëfimin Fadili.
Ai tha se Mendimin e dërgon çdo tre muaj për kontroll në një klinikë në Maqedoni (Evromedika), në të cilën vetëm kontrolli me sy nga një profesor atje i kushton 50 euro.
Mendimi që nuk ec as nuk flet, sipas babait të tij, është në gjendje të ha pa u ndalur sepse ka apetit sikurse të një njeriu të rritur. Ai madje ka edhe dhëmbë të fortë, të cilët mjekët në Maqedoni i kishin thënë se duhet me i’a heq, por që stomatologët nuk munden ta bënin një gjë të tillë.
“Dhëmbët i ka krejt të prishur, disa mjek atje kanë insistuar më thanë të shkoj në klinikën Cistina për t’ia hequr, aty kanë provu por nuk kanë mundur me ia heq. Ky i ka dhëmbët e fortë si të një njeriu të madh. Mendimi është i prekur në tru, për çka i ka edhe ilaçet, por problemi i tij tjetër është se ka gazra gjatë gjithë kohës dhe ato po e pengojnë, mirëpo mjekët më kanë thënë se gazrat i bëhen pasi vetëm ha dhe nuk lëviz, që do t’i ndodhte edhe një njeriu të rritur”, ka shtuar Fadili.
Mendimi për të trajtuar sëmundjen që ka, i duhen disa barna që janë posaçërisht për tru, por që në Kosovë nuk mund të gjinden askund.
Fadili i tha ekipit të Indeksonline se disa nga paketimet e barnave janë nga 25 euro, e që nganjëherë i gjen kur e dërgon djalin për kontroll në Maqedoni, e nganjëherë ia kanë sjell njerëzit nga diaspora.
“Allahu i ruajt krejt diasporën që më kanë ndihmu me të holla për barna, sepse mos të ishte diaspora nuk di si do t’ia bëja. Ky i gëzon 100 euro si krejt Kosova për raste të tilla, e të tjera të ardhura nuk kam. Në spital të Prishtinës e mbaja dy javë atje, e një në shtëpi, ku janë sjell tepër mirë me të, Allahu i ruajt, por që gjashtë muaj më nuk ka shku në Prishtinë .Allahu i nderoftë të gjithë që më kanë ndihmu, sepse është problem për një babë apo nanë që nuk ka mundësi me ia kriju kushtet evladit, e ata që janë prindër e dinë se çka është evladi”, ka thënë tutje Fadili.
Babai Fadili me bashkëshorten dhe katër djemtë, jetojnë në Lipjan në kushte jo të mira ekonomike. Madje, kryefamiljari thotë se shpesh mësimdhënësit janë ankuar pse nuk po i vesh djemtë më mirë në shkollë.
“Edhe pse edhe djemtë tjerë që i kam e që shkojnë në shkollë nuk kanë kushte, shumë herë mësimdhënësit më kanë thënë veshni fëmijët pak më bukur, kam shku i kam thënë që edhe unë kam qef me i vesh po s’kam kushte, pastaj rrymën duhet me e pagu, mbeturinat, ujin duhet me i pagu, e krejt çka po marrim pare për Mendimin po duhet me i pagu këto shpenzime. Më së shumti më vjen keq për Mendimin, sepse as për fëmijët tjerë e as për veten nuk e kam gajle”, ka shtuar Fadili.
Mendimi pos barnave të shtrenjta, ha edhe vetëm një lloj të ushqimit, që i kushton nga 2 euro një paketim i vogël, e që të tilla ai i ha disa në ditë.
Fadili apeloi te të gjithë bamirësit dhe njerëzit vullnetmirë që t’i ndihmojnë duke ia siguruar barnat që në Kosovë nuk po mund t’i gjej askund.
Për të gjithë ata që kanë vullnet për ta ndihmuat Fadilin, mund ta bëni duke kontaktuar direkt me të në numrin e telefonit: 044 741 502.