Ballkani rajon kontrabande emigrantësh, droge dhe pastrimi parash

Raporti nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional e paraqet Ballkanin Perëndimor rajon kyç në kontrabandën e emigrantëve ilegalë drejt BE dhe prodhimin e trafikun e drogave nga Lindja në Perëndim.

Raporti investigativ “Flukset e njerëzve, drogës dhe parave – Maj 2021”, nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional ( GI – Global Initiative, Against Transnational Organized Crime, ) publikuar ditët e fundit, përmes faktesh dhe të dhënash paraqet Ballkanin Perëndimor, (BP) si një rajon kyç të përfshirë fuqimisht në kontrabandën e emigrantëve të paligjshëm dhe azil-kërkuesve drejt vendeve të  BE-së,  prodhimin dhe trafikun e drogave nga Lindja në Perëndim dhe pastrimin e parave të krimit të organizuar. Në bazë të dhënash dhe faktesh raporti arrin në konkluzionin që “sasia më e madhe e parave vjen nga trafiku i drogës që realizohet nga grupe kriminale që veprojnë jashtë BP. Pastrimi i parave të krimit të organizuar bëhet kryesisht në Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Dubai. Në vendet e rajonit shumat e parave të pastruara edhe pse janë relativisht më të vogla mbajnë gjallë një ekosistem të krimit dhe korrupsionit, që dobëson sundimin e ligjit.”

Raporti synon “të kuptuarit më të mirë të ekonomive të paligjshme në BP, për marrjen e masave më efektive drejt zvogëlimit të stimujve dhe fitimeve të krimit të organizuar”.

Kontrabanda e emigrantëve të paligjshëm

Raporti investigativ i GI vë në dukje që “vlera totale e tregut të kontrabandës së emigrantëve ilegalë në pikat e hyrjes në vendet e BP arrin nga 20-28 milionë Euro, kurse vlera vjetore në pikat e daljes, drejt vendeve të Bashkimit Europian (BE) shkojnë nga 14.4 – 21.4 milionë Euro .

Të dhënat e GI në raportin në fjalë tregojnë që pandemia COVID-19 gjatë vitit 2020 nuk i uli flukset e emigrantëve dhe azilkërkuesve në BP, përkundrazi i rriti ngaqë kufizimet rritën stimujt financiarë të kontrabandës. Emigrantët e paligjshëm dhe azilkërkuesit që hynë në 6 vendet e BP janë kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut: Siria, Iraku, Irani, Pakistani Afganistani, Algjetria dhe Bangladeshi.

Numri  i tyre më i madh prej 41.257 personash ka hyrë gjatë vitit 2020 në Maqedoninë e Veiut, (MV)  e ndjekur nga Serbia me 39 648, nga Bosnjë –Herzegovina me 16 211, nga Shqipëria me 11 971, Mali i Zi me 2 898  dhe në fund Kosova me 1 910 emigrantë të paligjshëm dhe azilkërkues.

Në Shqipëri flukset e emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut nisën të rriten në vitin 2018, “kur u bë e vështirë për ata të kalonin nga Greqia në MV dhe u detyruan të hyjnë nga Greqia në Shqipëri permes pikës kufitare të Kakavijës në Gjirokastër dhe asaj të Kapshticës, në Korꞔë. Itinerari i tyre vazhdon në Tiranë, në periferinë e saj, në Babrru ku është Qendra Kombëtare e Pritjes së Azil-Kërkuesve, për të kaluar  në Mal të Zi , Kosovë dhe Itali me synim Europën Perëndomore”, thekson raporti. Çmimi i kontrabandistëve për të kaluar kufirin me Malin e Zi është 70 Euro për person, për të hyrë nga Greqia në Shqipëri arrin në 3.000 – 5000 Euro për person, zbulon raporti i GI.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer, citohet të martën (11.05) nga DPA të ketë thënë se “Numri i migrantëve po rritet përsëri ndjeshëm, veçanërisht në Rrugën Ballkanike. Ne duhet të bëjmë diçka,”

 Trafiku i canabis, kokainës dhe heroinës

Krim i organizuar gjeneron miliarda euro të paligjshme në vit nga kontrabanda e emigrantëve ilegalë dhe trafiku i drogës. Paratë e paligjshme që gjenerohen në BP ose në vende të tjera të Europës pastrohen në ekonomitë lokale të BP ose investohen sërish në aktivitete të tjera kriminale, thekson raporti i GI. Sipas këtij raporti, të ardhurat nga kontrabanda e kanabisit në Shqipëri investohen në droga më të forta si kokaina apo heroina duke bërë të mundur që grupet  kriminale të kapin një pjesë të konsiderueshme të tregut të këtyre drogave në Europën Perëndimore dhe të kenë fitime më të mëdha.

“Të ardhurat që vijnë nga trafiku i drogës mbështesin kontrabandën e armëve të zjarrit dhe trafikimin e qenieve njerëzore”, thekson raporti i GI.

Sipas këtij raporti në 6 vendet e BP pastrohen nga 1,8-4,6 miliardë Euro në vit nga kontrabanda e emigrantëve dhe trafiku i drogës. Ndërtimi, agjencitë imobiliare dhe ato të taksive janë aktivitetet në Shqipëri, ku kryesisht pastrohen paratë e rrjeteve të krimit të organizuar në vendet e BP. Raporti sjell në vëmendje të dhëna nga Instituti i Statistikave në Tiranë, sipas të cilave rezulton që lejet e ndërtimit, edhe pse në kushtet e pandemisë COVID-19, arritën numrin më të madh në gjysmën e dytë të vitit 2020. Që nga viti 2008 që konsiderohet viti i lulëzimit në industrinë e ndërtimit.

Legjislacioni në vendet e BP kundër pastrimit të parave ka zbrazëti, sidomos lidhur me zbatimin e ligjit, thekson raporti.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme