Banorët e Banjicës së Epërme dhe të Poshtme protestuan kundër marrjes së tokave të tyre nga ana e shtetit për nevojat e kompanisë së kontraktuar për ndërtimin e Korridorit 8-të. Përfaqësuesi i banorëve të dy fshatrave Nasir Asipi, tha se kërkesat për sqarime drejtuar institucioneve hasin në veshë të shurdhër, ndërsa nuk mungojnë edhe shqetësimet, nga minimet e shpeshta që ndodhin në këtë zonë. Nëse nuk merren masa nga ana e Qeverisë dhe nga ana e institucioneve kompetente, paralajmërojmë se nga ditët në vijim, të gjitha rrugët e të dy fshatrave do të jenë të bllokuara për të punësuarit e kompanive.
“Të dy fshatrat me shekuj merren me bujqësi, kurse rruga kalon pikërisht te arat që punohen nga ana e bujqve. Ato janë të ardhurat e vetme të tyre për jetesë, kurse këto ara parashihen të merren me forcë me çmim të caktuar minimal e ne atë nuk do ta lejojmë. Ne nuk duam ta shesim pasi jetojmë nga ajo tokë dhe nuk ka para me të cilat mund të na paguajnë pasi unë dhe të gjithë këta të tjerët që janë këtu, me atë tokë e ushqejmë familjen”, deklaroi Nasir Asipi, banor i Banjicës. /Alsat.mk