Bardhi bën thirrjen: Çmimi i naftës më i shtrenjti në Rajon, qeveria të ndërhyjë, të ulë taksat!

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar për çmimin e karburanteve në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë se përmes taksave po rëndon më tej qytetarët.

Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi deklaron se çmimi i naftës në vend është ndër më të lartët në rajon dhe kërkon ndërhyrjen e qeverisë përmes uljes së taksave. Sipas tij, një litër naftë arrin deri në 219 lekë, ndërsa rreth 100 lekë të këtij çmimi përbëhen nga taksa të ndryshme, përfshirë akcizën, taksën e qarkullimit, taksën e karbonit dhe TVSH-në.

Bardhi e lidh rritjen e të ardhurave nga karburantet me politikat e qeverisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se nuk po përdor mekanizma për të amortizuar çmimin për qytetarët. “Kur rritet çmimi, qytetari paguan më shumë. Kur qytetari paguan më shumë, Qeveria arkëton më shumë”, shprehet Bardhi, duke shtuar se sipas tij këto të ardhura nuk po kthehen në formën e lehtësimeve për konsumatorët.

REAGIMI:

ALGORITMI I NAFTËS DHE ALGORITMI I EDI RAMËS

Edi Rama ka disa algoritme që funksionojnë prej vitesh në qeverisjen e tij.

Algoritmi i korrupsionit.

Algoritmi i krimit të organizuar.

Algoritmi i pastrimit të parave.

Algoritmi i taksave.

Të gjitha bashkë formojnë algoritmin e Edi Ramës: qytetarët paguajnë gjithnjë e më shumë dhe marrin gjithnjë e më pak nga Qeveria.

Për ta kuptuar këtë algoritëm nuk na duhen teoritë e askujt. Mjafton të shohësh tabelën e çmimeve në pikën më të afërt të karburantit: Deri në 219 lekë për 1 litër naftë.

Algoritmi i naftës është fare i thjeshtë.

Nga 219 lekë që paguan qytetari, rreth 100 lekë janë taksa: akcizë, taksë qarkullimi, taksë karboni dhe TVSH.

Kur rritet çmimi, qytetari paguan më shumë. Kur qytetari paguan më shumë, Qeveria arkëton më shumë. Dhe ndërsa Qeveria përfiton nga rritja e çmimit, ajo nuk kthen asgjë tek qytetari.

Pse Qeveria ka bërë këtë zgjedhje?

Sepse prioritet për Edi Ramën nuk është algoritmi i mirëqenies. Me milionat e shtuara që arkëton nga rritja e çmimit të naftës, financon algoritmin e korrupsionit, përmes tenderave me vlera 2–3 herë më të larta, siç kemi parë në dosjet e Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit.

Që çmimet janë rritur kudo, nuk është justifikim. Pse nafta është më e lirë kudo në rajon? Sepse qeveritë atje kanë përdorur mekanizma që amortizojnë rritjen ose e kufizojnë atë. Në Shqipëri, Edi Rama funksionon me algoritmin e tij: pret që nafta të shkojë 220 lekë për litër dhe pastaj të ndërhyjë tek akciza.

B — BESIM? Prit sa të shkojë 220 lekë/litër.

E — EMPATI? Zero ulje taksash.

S — SHËRBIM? 219 lekë/litër.

A — ANGAZHIM? Më shumë fitime për Qeverinë.

Tre muaj më parë, Edi Rama refuzoi me votë propozimin e Partisë Demokratike për uljen e çmimit të karburanteve përmes dy mekanizmave:

1. Ulja e taksës së qarkullimit

2. Një mekanizëm automatik që, kur shteti mbledh më shumë TVSH për shkak të rritjes së çmimit të karburantit, këtë të ardhur shtesë t’ua kthejë qytetarëve përmes uljes së akcizës.

Jemi ende në kohë që algoritmi i naftës të ndryshojë dhe propozimi i refuzuar tre muaj më parë të vihet në punë. Por për ta bërë këtë, duhet të ndryshojmë algoritmin kryesor: t’i bëjmë naftën Edi Ramës.

The post Bardhi bën thirrjen: Çmimi i naftës më i shtrenjti në Rajon, qeveria të ndërhyjë, të ulë taksat! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme