Nga foltorja e ngritur përballë Kryeministrisë, në ditën e 92-të të protestës qytetare, ka folur edhe aktivisti Arben Kola, i cili lëshoi akuza të forta ndaj mazhorancës.
Gjatë fjalës së tij, Kola u ndal te takimet e zyrtarëve të qeverisë në verilindje, duke deklaruar se pushtetarët nuk kanë më mbështetje në atë rajon.
“Shqiptarët janë mbledhur për t’i thënë ‘shporru’ kësaj qeverie. Sot të pabesët dhe patronazhistët e nisën ‘besën’ në qytetin e besës, në Kukës. Të pabesët nuk kanë më vend në Kukës, nga ku vij edhe unë! Ju bëj një thirrje gjithë patronazhistëve dhe të pabesëve të kapur pas sistemit: ju e keni lënë këtë qytet në harresë, e keni shpopulluar. Nuk mjafton ndriçimi që i bëjmë atdheut përmes Fierzës, ku kuksianët akoma nuk kanë marrë dëmshpërblimin për tokat e tyre të përmbytura”, deklaroi Kola.
Në përmbyllje të fjalës së tij përpara turmës së mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, aktivisti u bëri thirrje qytetarëve për përballje të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e ekzekutivit.
“Tradhtarët ndiqini me vezë e domate kudo që t’i shihni! Ndiqini hajdutët në qeveri siç ndiqni hajdutët kur vijnë në shtëpi!” përfundoi ai fjalën e tij.
The post “Goditini me vezë dhe domate tradhtarët”, Aktivisti Arben Kola nga foltorja e protestës: Shqiptarët janë mbledhur për t’i thënë ‘shporru’ kësaj qeverie! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



