Basha mesazh pas takimit me bizneset prodhuese: Programi ynë është plan pune! Më 25 prill kthehemi në rrugën e duhur

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, jep një mesazh pas takimit me përfaqësuesit e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, me të cilët ka diskutuar mbi programin e PD.

Në mesazhin e tij në “Facebook”, Basha thekson se ka ndarë me “bizneset prodhuese bindjen se ulja e taksave, veçanërisht taksa e sheshtë 9%, e kontributeve të sigurimeve shoqërore, reduktimi i burokracive, kufizimi maksimal i inspektimeve do t’i kursejë biznesit shumë para, punë produktive dhe energji”.

Mesazhi i Bashës:

Takova sot një përfaqësi nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë dhe diskutuam në tërësi programin e Partisë Demokratike. Shqipëria gjatë këtyre viteve ka mbetur vendnumëro me Edi Ramën. Biznesi shqiptar ka parë këto 8 vite shtetin t’i hidhet në fyt, t’i zërë derën me inspektorë çdo ditë. Shumë ditë pune biznesi të vlefshme janë shpërdoruar nga kontrollet abuzive, mijëra vende pune janë shkurtuar, dhjetëra mijëra sipërmarrje kanë falimentuar.

 

 

Ndamë bashkë me bizneset prodhuese bindjen se ulja e taksave, veçanërisht taksa e sheshtë 9%, e kontributeve të sigurimeve shoqërore, reduktimi i burokracive, kufizimi maksimal i inspektimeve do t’i kursejë biznesit shumë para, punë produktive dhe energji. U bëra të qartë sipërmarrësve se programi ynë është një plan pune me objektiva dhe angazhime të matshme dhe realiste. Nuk ka asnjë premtim në planin tonë.

Bizneset prodhuese janë të shqetësuar për humbjen e pozitës konkurruese të Shqipërisë në rajon për shkak të klimës së keqe të biznesit. Produktet “Made in Albania” përfaqësojnë markën me më pak qarkullim në Ballkan. Vetëm kosto e energjisë për biznesin 8 vitet e fundit ka qenë 20% më e lartë. U shpjegova se si do ta liberalizojmë tregun e energjisë, që biznesi të zgjedhë vetë prodhuesin dhe shpërndarësin që do t’i furnizojë me energji elektrike.

Taksat dhe tarifat kanë ndryshuar çdo ditë. 60 ndryshime të ligjeve fiskale dhe 170 urdhëra ministrash për zbatimin e tyre ka nxjerrë kjo qeveri në 8 vite. U shpjeguam bizneseve pjesëmarrëse se ne do ta stabilizojmë legjislacionin fiskal. Të gjithë ligjet do të përmblidhen në Kodin Tatimor që nuk do të ndryshojë për 4 vjet.

Shqipëria dhe biznesi shqiptar kërkojnë ndryshim. Kjo është koha për ndryshim. Në 25 prill, Shqipëria dhe prodhuesit shqiptarë meritojnë të kthehen në rrugën e duhur, meritojnë të fitojnë. Më 25 prill Rama humb dhe Shqipëria fiton. #SHQIPERIAFITON

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme