Bastisje në Tetovë dhe rrethinë. Sektori i Punëve të Brendshme ka njoftuar sekuestrimin e një sasie të madhe të fishekzjarrëve që shiteshin në mënyrë jolegale si dhe duhanit. Aksioni i policisë është realizuar me urdhër të prokurorisë së Tetovës, ndërsa ka të bëj me aksionin e kryeshefit të SBP-së, Riad Aliu, kundër shkelësve të ligjit. Në aksionin e sotëm të zhvilluar në Tetovë dhe në fshatin Sellcë, janë konfiskuar 76.000 copë mjete piroteknike të llojeve të ndryshme si dhe 346 kilogramë duhan që shitej nëpër disa tezga të improvizuara.
“Pjesëtarët e policisë së SPB Tetovë kanë kryer bastisje në disa lokacione prona të dy personave të fshatit Sellcë të Tetovës, dhe në një lokal si dhe tre tezga të improvizuara në Tetovë. Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe konfiskuar rreth 76.000 fishekzjarrë të llojeve të ndryshme si dhe rreth 346 kilogram duhan. Gjësendet e gjetura janë konfiskuar dhe mbajtur në SPB Tetovë. Personat e përfshirë në tregti të palejuar me fishekzjarrë dhe duhan janë privuar nga liria dhe mbajtur në SPB Tetovë dhe ndaj tyre do të përgatitet parashtresë përkatëse. Në nivel të Sektorëve për punë të brendshme të Tetovës ka të bëj me një nga aksionet më të mëdha si sektor të zbuluar deri më tani”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë. /Alsat.mk