Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) përmes një njoftimi për media ka reaguar sërish në lidhje me pozitat e shqiptarëve në ushtrinë e Maqedonisë së Veriut. Nga BDI thonë se për herë të parë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, asnjë shqiptar nuk mban pozitat kryesore në ushtri. Nga kjo parti thonë se “heqja e gjeneralit të vetëm shqiptar nga Komanda Operative ka lënë shqiptarët pa përfaqësim në katër pozitat më të larta ushtarake”.
“Për herë të parë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, asnjë shqiptar nuk mban pozitat kryesore në ushtrinë e Maqedonisë së Veriut. Heqja e gjeneralit të vetëm shqiptar nga Komanda Operative ka lënë shqiptarët pa përfaqësim në katër pozitat më të larta ushtarake. Për më tepër, emërimi i gjeneralëve Orce Jordev dhe Mirce Gjorgevski, të cilët kanë marrë përgjigje negative nga NATO për certifikatat e sigurisë, ngre shqetësime serioze mbi orientimin strategjik të vendit tonë. Këto zhvillime sugjerojnë një prirje drejt udhëheqjes anti-NATO, pro-serbe dhe pro-ruse në ushtri, ndërsa shqiptarët po përjashtohen sistematikisht nga sistemi i sigurisë”, thuhet në njoftimin e BDI-së.
Sipas kësaj partie për herë të parë, Agjencia e Inteligjencës, Agjencia për Siguri Kombëtare dhe Agjencia Ushtarake nuk kanë asnjë shqiptar në pozita udhëheqëse.
“Ky përjashtim i qëllimshëm i shqiptarëve nga institucionet kyçe të sigurisë përbën një kërcënim serioz për sigurinë e shtetit dhe ngre pyetje mbi qëllimet pas këtij spastrim etnik në sistemin e sigurisë. Në këtë situatë alarmante, partitë shqiptare në qeveri duhet të ndërpresin rolin e avokatit të politikave antishqiptare dhe përjashtuese. Shqiptarët nuk do mbesin spektatorë por do reagojnë për të mbrojtur veten dhe interesat e tyre. I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht NATO-s, të ndërhyjë për të adresuar këtë përjashtim sistematik dhe për të siguruar që Maqedonia e Veriut të mbetet e angazhuar ndaj vlerave demokratike dhe partneriteteve strategjike”, thonë nga BDI.