BDI-ja dërgon mbrapsht te LSDM-ja draft/ligjin për shqipen, bashkëngjitur me mendimin e saj rreth disa çështjeve thelbësore që kanë të bëjnë me statusin, zbatimin si dhe harmonizimin e tij me Kushtetutën. Alsat mëson se draft/ligji, i cili është punuar edhe me ndihmë të disa ekspertëve të të drejtës kushtetuese, si dhe LR.PDSH-së, është dërguar në orët e vona të pasdites, pas një shqyrtimi të thuktë mes kreut të BDI-së Ahmeti si dhe nënkryetarëve të partisë, njëkohësisht anëtarë të grupit të punës nga ana e BDI-së në bisedimet me LSDM-në. Modalitetet kërkoheshin prej 2-3 ditësh tashmë, pasi ligji për shqipen si dhe përmbushja e pikave të tjera nga platforma e përbashkët e partive shqiptare, ishin kushtet themelore të BDI-së për koalicionin e mundshëm. Më herët, gjatë ditës së sotme, kreu i BDI-së Ali Ahmeti deklaroi se partia e tij nuk do të shpejtonte në marrjen e vendimit, ndërkohë që pranoi se mbrëmë ka ndarë mendime edhe me kreun e LR.PDSH-së Sela.
Të gjitha gjërat janë duke u analizuar. Mendoj qe në të ardhmen do të ketë një përgjigje konkrete. Këto janë çështje të cilat bisedohen në kuadër të partisë por unë ju siguroj se aty nuk prodhohen bomba atomike. Sigurisht që bisedohet për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me statusin politik dhe juridik të shqiptarëve të Maqedonisë. Ne jemi duke biseduar edhe me partitë e tjera politike sepse duhet të formojmë mendim të përbashkët edhe me partitë politike. Me z. Sela jam takuar dhe sigurisht që kemi këmbyer mendime – deklaroi lideri i BDI-së Ali Ahmeti.
Në diskutim e sipër ka qenë formati i ri i ligjit për përdorimin e shqipes, i cili duhet të jetë jo vetëm në përputhje me kushtetutën, amendamentin V të saj, por njëkohësisht të saktësojë që përkufizimi “gjuha që përdoret nga 20% e popullatës” të ketë një lidhje konkretizuese me termin tjetër “gjuha shqipe”. Një pikë tjetër e rëndësishme ishte edhe ajo që e folura e shqipes në institucione, të respektohet edhe në të shkruar. Në Kuvend, pavarësisht se shqiptarët kishin përkthime për ligjet e caktuara, ato asnjëherë nuk kanë qenë protokolluar me vulë e firma sikurse versioni në maqedonisht, ndërkohë që në qeveri, institucion jo më i rëndësishëm se Parlamenti, shqipja as flitej dhe as shkruhej. Kur çështja e ligjit të shqipes të jetë pranuar nga të dyja palët, ajo shqiptare dhe ajo maqedonase, atëherë partia e Ahmetit pritet të thërrasë edhe kryesinë e saj për të marrë vendimin rreth nënshkrimeve. Pas kësaj faze, siç mëson Alsat, bisedimet me LSDM-në do të vazhdojnë sa i takon resorëve dhe emrave të rinj që do të zënë postet qeveritare. Nënkryetari i LSDM-së Damjan Mançevski deklaroi se nuk ka kohë për të humbur dhe se partia e tij pret konfirmimin në formën e nënshkrimeve.
Përjigjen e presim në formë të nënshkrimeve për marrjen e mandatit për formimin e Qeverisë. Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm për momentin në të cilën ndodhet vendi. Absolutisht vendi nuk ka asnjë ditë më shumë për të humbur për të filluar me reformat seriozë për të cilat votuan mbi 600 mijë qytetarë. Ajo që ne për momentin shqyrtojmë është platformë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë dhe siç kemi njoftuar se në rolin e mandatarit për formimin e Qeverisë kryetari Zaev do të hyjë në detaje për platformën – tha Damjan Mançevski.
Me vendimin e tillë të dhënies së nënshkrimeve LSDM-së, partia e Zaevit bëhet zyrtarisht mandatar, dhe dy partitë ligjërojnë edhe afatet kushtetuese për 20 ditë të tjera për bisedimet mes tyre.