Rreth 700 të burgosur në mëshirën e presidentit

694 të burgosur që vuajnë dënimet në burgjet e Kosovës presin me ankth vendimin e presidentit të Kosovës për falje të viteve që u kanë mbetur brenda mureve të qelive të tyre.

Për festën e Pavarësisë ata kanë bërë kërkesa për falje sipas ligjit në fuqi. E për falje ata duhet plotësuar disa kritere.

Drejtori i Shërbimit Korrektues Sokol Zogaj sqaron për KosovaPress procedurat që duhet ndjekur një i burgosur për të kërkuar që të falet.

Sipas Zogajt ata duhet të kenë sjellje të mira gjatë qëndrimit në burg, e po ashtu edhe të mos shkelin rregullat e burgut.

Ushtruesi i detyrës së Shërbimit Korrektues shpreson se kësaj radhe do të ketë numër më të madh të burgosurve që falen nga presidenti.

“Ne i kemi pasur komisionet nëpër burgje që e kanë hartuar listën ata të cilët duhet t’i plotësojnë këto kritere edhe kanë ardhur në drejtori qendrore dhe koordinatorja e saj së bashku me mua i kemi dërguar në Presidencë. Edhe kriter kryesor për mua është se duhet të falen të gjithë ata të burgosur që procesin e risocializimit të tyre është në kuptimin pozitiv, ka sjellje të mira ndaj stafit ndaj të burgosurve, ndaj familjeve të tyre. Pra, është i përgatitur për jetën post-penale apo kthimin e tyre në pajtimin e tyre. Dhe presin falje nga personat kompetentë…Besoj që një pjesë shumë e madhe e tyre i kanë plotësuar kriteret, por nuk është në kompetencën tonë, është në kompetencën e komisionit pranë Presidencës dhe të Presidentin sa ata munden me i fal. Presim kësaj radhe që të fitojnë më shumë se herëve tjera”, tha Zogaj.

Ende nuk dihet se sa do të jetë numri i atyre që sivjet do të falen nga presidenti pasi që komisioni i krijuar për këtë çështje edhe ende duke vlerësuar kërkesat e personave të dënuar.

Drejtori i Departamentit për Çështje Juridike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Presidencën e Kosovës konfirmon se komisioni ad-hoc, është duke shqyrtuar dhe vlerësuar secilën kërkesë veç e veç për falje në pajtim me ligjin.

“Pa përfunduar puna e shqyrtimit e të gjitha kërkesave që i janë drejtuar Presidentit, nuk mund të japim asnjë numër, ngase sipas procedurave përkatëse, fillimisht Komisioni i rekomandon Presidentit e më pas është në të drejtën e Presidentit që të bëjë shpalljen e faljeve individuale. Duhet të kemi parasysh që falja nënkupton pushtetin e jashtëzakonshëm ekzekutiv të Presidentit për t’i falur personat e dënuar për vepër penale, duke i liruar nga dënimi i përcaktuar nga gjykata. Presidenti pasi që të vendos për personat që do të falen do të shpall Falje me anë të Dekretit i cili do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, tha Kajtazi ,

Të burgosurit e Kosovës nuk kishin fat në kohën sa presidente ka qenë Atifete Jahjaga.

Gjatë mandatit të saj Jahjaga ka falur një numër shumë të vogël të të burgosurve dhe për këtë ditë më parë ka reaguar edhe Këshilli për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut.

KMDLNj po ashtu ka kërkuar që presidenti Thaçi të falë sa më shumë të burgosur, pasi që kjo e drejtë ua garanton edhe Kushtetuta e Kosovës.

Valentina Demolli nga KMDLNj tha për KosovaPress, se presin nga presidenti që të fal njerëzit, të cilët sipas saj e meritojnë dhe i kanë përmbushur kriteret e risocializimit.

“Letra jonë konsiston në çështje përderisa edhe në medie është raportuar që këtë herë numri i aplikuesve për falje të presidentit arrin diku numrin mbi 700 persona. Ne i kemi bërë thirrje presidentit që këtë herë të fal më shumë, sesa herën e kaluar që kanë falur presidentët paraprak. Ne kemi vlerësuar që ka një numër të madh të personave të privuar nga liria, të cilët do të meritonin të falen nga presidenti. Dhe ne presim që këtë ta bëj edhe presidenti aktual. Personat të cilët plotësojnë kriteret për falje, ne kemi vlerësuar që është një numër i konsiderueshëm i këtyre personave që kanë arritur risocializimin në Qendrat Korrektuese në Kosovë, dhe presim nga ekipi i presidentit që bën vlerësimin e këtyre aplikacioneve të fal më shumë dhe ata të cilët meritojnë. Falja nuk prodhon probleme në rast se falen personat që e meritojnë dhe vlerësojnë kriteret që janë të përcaktuara për t ë përfituar nga ky institucion”, tha Demolli.

Ndryshe të burgosur në Kosovë më së shumti ka falur Jakup Krasniqi i cili viti 2011 e gjeti në postin e ushtruesit të detyrës së presidentit pasi që paraardhësi i tij Fatmir Sejdiu kishte dhënë dorëheqje nga ky post pasi që Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se ka shkelur Kushtetutën duke mbajtur edhe postin e kryetarit të LDK-së.

Krasniqi kishte falur lirinë për 103 persona të dënuar. Shumë më pak se Krasniqi në vitin 2010 kishte falur Sejdiu. Gjatë këtij viti ai kishte falur vetëm 62 të dënuar.

Ndërsa zemër shtrënguar për këtë çështje ishte treguar ish-presidentja Atifete Jahjaga e cila në vitin 2015 dhe 2016 nuk e kishte falur asnjë të burgosur.

Presidentja Atifete Jahjaga në vitin 2014 për herë të fundit kishte falur dënimin e të burgosurve, me vendim të saj ishin falur vetëm 2 nga 515 sa kishin kërkuar.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme