Ministrat europianë të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme kanë rënë dakord në takimin informal të Maltës që të ngrejnë kampe azilkërkuesish në vendet e Afrikës veriore, kryesisht në Egjipt, Libi dhe Algjeri, ku do të strehohen refugjatët që kanë mbërritur në rrugë tokësore dhe ata të shpëtuar nga mbytja gjatë trafikimit përmes detit Mesdhe drejt Italisë, Maltës, Greqisë, Qipros apo vendet e tjera anëtare të BE-së.
Në këto kampe të reja në Afrikën veriore do të strehohen azilkërkuesit në pritje të shqyrtimit të kërkesave të tyre nga autoritetet europiane të Emigracionit.
Emigracioni ilegal nga Afrika veriore, Siria, apo vendet e Ballkanit Perëndimor është kthyer në temë qendrore të debatit politik në fushatat elektorale që mbahen në Francë, Holandë dhe Gjermani, gjatë këtij viti.
Në vitin 2015, Bashkimi Europian vendosi shpërndarjen e rreth 160 mijë refugjatëve që ndodhen në Itali dhe Greqi, drejt vendeve të tjera anëtare të BE-së, por deri më tani janë shpërndarë vetëm 11 mijë refugjatë./ Top Channel