“Ai nuk duhet të lihet asnjëherë vetëm, është njeri që dëshiron të iu qëndrojë pranë serbëve dhe nuk do t’i pranojë argumentet e rrezikshmërisë, askush nuk mund ta parandalojë atë të bëjë një gjë të tillë, Vuçiq do tu tregoj atyre se shteti ekziston dhe se nuk do largohet asnjëherë nga jetët e tyre” , deklaroi Vulin, transmeton lajmi.net.
Ai shtoi se Vuçiqi nuk frikësohet nga mungesa e sigurisë, por as nga situata ku shqiptarët po shohin se mund të ndodhë ndonjë incident në mënyrë që funksionalizimi i Gjykatës Speciale të largohet nga agjenda dhe vëmendja.
Duke u pyetur se nëse vrasja e liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq, është arsye e mjaftueshme që Forcat Serbe të rikthehen në Kosovë duke u bazuar në rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, Vulin u përgjigj:
“Çka më shqetëson më së shumti në këtë situatë është që ky krim monstruoz mund të përdoret nga Forcat Shqiptare që të vijnë në veri të Kosovës. Kjo do të paraqiste një problem serioz dhe ne do monitorojmë situatën me kujdes që askush mos ta përdorë këtë tragjedi që të marrë përsipër veriun” u përgjigj Vulin.
Vulin shtoi se ka marrë garanci nga Brukseli që Ushtria e Kosovës të mos jetë prezente asnjëherë në veri të Kosovës.
“Vuçiq, si kryenegociator i ekipit të Serbisë, ka pranuar garancinë nga NATO se nuk do të ketë Forca të Sigurisë në veri të Kosovës, dhe ato nuk do ta kalojnë asnjëherë urën e Ibrit”, deklaroi Vulin.
Sipas tij, derisa kjo të ndryshojë, sipas rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara, KFOR-i mbetet forca e vetme ushtarake në Kosovë me të cilën Beogradi bashkëpunon.
Duke folur për qëndrimin zyrtar të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që ai nuk është i gatshëm të bashkëpunojë me Serbinë, për hetimin e vrasjes së Ivanoviqit, Vulin u shpreh:
“Thaçi, si gjithmonë punon vetëm për audiencën e tij dhe tenton të marrë disa pikë që të vërtetojë që kinse ata janë shtet i pavarur me ligjet e tyre, pas shumë vrasjeve dhe pas asnjë verdikti final të tyre, ata nuk mund të na ndalin më, nëse ata nuk pranojnë ndihmën tonë, ne do ta bëjmë vetë hetimin” deklaroi Vulin.
Duke komentuar deklaratat e kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veselit, i cili para pak ditëve tha se nëse “Serbia tenton të hyjë në Kosovë, ne nuk do të ndalemi deri në Nish”, Vulin shtoi:
“Kjo është një deklaratë që duhet të merret seriozisht, është një deklaratë për luftë në emër të shqiptarëve, duhet të përgatitesh për pasojat kur thua diçka, ai foli në emër të të gjithë shqiptarëve, nuk tha Kosova, po tha shqiptarët, ai duhet ta dijë, nuk duhet të bëhet lojë me gjëra të tilla në Ballkan, në Ballkan nga një plumb, vije zjarri” përfundoi Vulin./Lajmi.net/