Bashkimi Evropian do të duhet të gjejë një zëvendësues për David Shwendimanin, pasi atij i skadon mandati më 31 mars, raporton KTV.
Shwendiman ka shkruar se largimi i tij nuk ka të bëjë me mungesën e zotimit ndaj hetimeve dhe se punën e nisur do ta vazhdojë në të njëjtin nivel kushdo që e pason. Shwendiman tha se largimi i tij nuk nënkupton ndryshime në kursin e punës së Zyrës së Prokurorit, duke shtuar se kushdo që vjen pas tij, do të jetë i zotuar në kryerjen e punës drejt, mirë e shpejt brenda mundësive.
Ai ka vlerësuar edhe reagimet pas iniciativës për shfuqizimin e Ligjit për Specialen në Kosovë, që sipas Shwendimanit, treguan vendosmërinë ndërkombëtare dhe mbështetjen për punën e tyre.
Në vend të tij, pozitën e Prokurorit të Specializuar do ta ushtrojë zëvendësi i tij, Kwai Hong Ip.
Shwendiman ishte kryeprokuror i Task Forcës Hetimore Speciale që nga maji i vitit 2015, ndërsa u emërua Prokuror i Specializuar në shtator të vitit 2016.