Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që të formojnë institucionet sa më parë që është e mundur.
Zyrtarë nga BE në një përgjigje për ‘Indeksonline’, thonë se Kosova nuk ka kohë për të humbur, prandaj sa më parë që të jetë e mundur të mblidhet Kuvendi dhe partitë t’i përgjigjën kësaj thirrje.
“Ne po presim formimin e Qeverisë në Kosovë. Shteti i Kosovës nuk ka kohë për të humbur. Në i bëjmë thirrje që Kuvendi të konstituohet sa më shpejtë që është e mundur dhe që partitë parlamentare të veprojnë më përgjegjësi dhe të përmbushin obligimet që janë të përcaktuara me Kushtetutë dhe ligje” thuhet në përgjigjen e BE-së për Indeksonline.
BE ka ripërsëritur edhe njëherë ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit.
Sipas BE, Qeveria e re do të duhet të trajtojë menjëherë këtë çështje që është kërkesë kryesore që qytetarët e Kosovës të jenë të lirë.
“Më 25 prill komisioneri Avramopulos u takua me kryeministrin Mustafa për të diskutuar hapat përfundimtarë të nevojshëm për të përmbushur kërkesat e mbetura për liberalizimit të vizave për Kosovën. Tani do të jetë për qeverinë e re të Kosovës dhe Parlamentin për të përmbushur pritjet e popullit të saj” thuhet në përgjigjen e BE-së.
Me tutje në përgjigjen e tyre BE ka renditur disa nga detyrat për të cilat Qeveria e re duhet të angazhohet menjëherë.
“Ne presim që qeveria e re, të punojë menjëherë drejt reformave që lidhen me sundimin e ligjit dhe ekonominë, për të ofruar liberalizimin e vizave dhe për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në Dialogun me Serbinë. E gjithë kjo është vendimtare për Kosovën që të bëjë përparim në rrugën e saj evropiane” thuhet në përgjigjen e BE-së.
BE ka përmendur edhe luftimin e krimit dhe korrupsionit si faktor kyç për integrimin e Kosovës në BE.
Partitë politike nuk kanë arritur ende të gjejnë një kompromis për themelimin e institucioneve.
Janë mbajtur disa seanca, mirëpo në mungesë të PAN-it, koalicionit që në zgjedhjet ka dalë më me shumë vota, kanë përfunduar pa u zgjedhur kryetari dhe kryesia.
BE pret nga partitë që Qeveria të formohet sa më shpejtë. Të shohim nëse partitë politike do t’i përgjigjën kësaj thirrje, që njëherit është përcaktuese për rrugën e Kosovës drejt BE-së./Indeksonline