Bashkësia ndërkombëtare është krenare që mundi tu ndihmojë liderëve të dakordohen që më 11 dhjetor të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Besojmë se ky do të jetë një hap i rëndësishëm për zgjidhjen e krizës politike, porositi ambasadori amerikan Xhes Bejli pas nënshkrimit të marrëveshjes.
“Do të bëjmë gjithça që mundeni në javët dhe në muajt e ardhshme që të sigurohemi se do të ketë zgjedhje kredibile që do t’i plotësojnë kushtet dhe të cilat do tu mundësojnë qytetarëve pa frikë lirshëm të votojnë. Ajo që është më me rëndësi është se çka do të bëjnë partitë, mediat, qytetarët. Këto janë ato vendime të cilat në fund do ta sjellin vendin në zgjedhje kredibile dhe do të mundësojnë që shteti të shkojë para në reforma të cilat do të sjellin në integrime euroatlantike. Kjo do të jetë pika kritike që do të ndodhë. Mediat do të kenë rol të rëndësishëm, theksoi Bejli.
I pyetur se çka do të ndodhë nëse partitë e shkelin marrëveshjen, Bejli tha se partitë janë dakorduar dhe se ato do të vendosin nëse do të ketë ose jo zgjedhje.
“Të jeni të sigurtë se zgjedhjet do të mbahen më 11 dhjetor, pasi janë dakorduar partitë. Liderët e katër partive u dakorduan, kushtet janë këtu, kështu që tani nuk shoj ndonjë problem. Domethënë zgjedhjet do të mbahen”, tha Bejli.
Në pyetjen nëse BE-ja dhe SHBA-ja publikisht do të tregojë, nëse shkelet marrëveshja se cila parti e ka bërë, ambasadori amerikan tha se ata vlerësojnë çdo herë se si do të zhvillohen zgjedhjet.
“Në çdo proces zgjedhor në këtë vend, bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet tona çdo herë themi se do t’i vlerësojmë zgjedhjet që janë mbajtur. Por në fund të ditës ajo që është me rëndësi është se çka mendojnë qytetarët. Nëse ata u besojnë zgjedhjeve, nëse do të ketë rezultate të drejta, nëse do të plotësohen kriteret në të cilat besojnë qytetarët. Kjo është më me rëndësi për qytetarët e këtij vendi”, porositi Bejli.
Lukash Melka nga delegacioni i BE-së në Maqedoni tha se vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve më 11 dhjetor tregon se ka vullnet politik që vendi të shkojë përpara.
“Tani mbetet që partitë të sigurohen se qytetarët do të kenë zgjedhje të lirë në zgjedhjet kredibile dhe se të thënat për parregullsi zgjedhore gjatë procesit zgjedhor do të trajtohen në mënyrë përkatëse nga institutet relevante dhe nga vetë partitë”, tha Melka.
Mediat, shtoi ai, kanë një rol shumë të rëndësishëm të sigurojnë njoftim të balansuar dhe të drejta që qytetarët të informohen më së miri për zgjedhjen e tyre personale.