E paaftë për t’u përballur me sfidat që e presin, avanturiste dhe rrjedhojë e zhvillimeve të cuditshme në skenën politike vendore, do të jetë qeveria e re, sipas Belul Beqajt
19:36, 5 Shtator 2017
Nga kriza joinstitucionale tash vendi përballet me krizë shumë më të rrezikshme, të një qeverie avanturiste, një kryeministri avanturist, që varet nga Beogradi dhe interesi i individëve.
Kështu mendon analisti Belul Beqaj, që nënvizon se neglizhenca e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe shansi për të përfituar më tepër nga ç’është në kapacitetin politik të presidentit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, çuan në ‘marrëveshjen e Hajvalisë’.
“Deri tani nuk kemi pasur veprime të rrezikshme, ngase të gjithë kanë qenë në pritje dhe me shpresë. Tash është ndarë shapi nga sheqeri; koalicioni do të jetë para sfidave që nuk do të mund t’i përballojë dot”.
“Mendoj se Behgjet Pacolli e ka kuptuar neglizhencën e kryetarit të LDK-së, që e ka përdorur për zgjatjen e pushtetit të tij i cili po perëndon, ndërsa atij i ka ardhur rasti jetësor që të përfitojë më tepër se që ka realisht. Këto zgjedhje demokratike parlamentare dëshmuan të kundërtën e synimit të demokracisë. Në vend se të respektohet vullneti politik i shumicës, shumica do të varet nga individët dhe pakica”.
Ndërsa lidhur me takimet e fundit mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Beqaj ka thënë se ato nuk janë kurrfarë sinjali për krijimin e një blloku të përbashkët opozitar, duke shtuar se LDK-së i duhen reforma të thella.
“Pa u reformuar LDK-ja, pa u ndërruar kryetari, nuk besoj se do të ketë bashkëveprime racionale. Mund të ketë bashkëveprime irracionale, për shkak të inateve personale ndaj parterëve të koalicionit, por kjo vetëm sa do ta dëmtojë edhe më shumë politikbërjen në Kosovë”. /klankosova.tv