Berisha e Basha sulmojnë ambasadorin amerikan Lu

Mes Partisë Demokratike dhe Ambasadorit Amerikan në Tiranë, Donald Lu mosmarrëveshjet dhe kritikat nuk mbahen më sekret. Qëndrimet e ndryshme për reformën në drejtësi, deklaratat e shpeshta të ambasadës kundër selisë blu, duket se i kanë sjellë palët në një përplasje të hapur publike. Në dy ditët e fundit, fillimisht ish-kryetari, Sali Berisha dhe më pas kryetari i PD-së, Lulzim Basha kanë bërë deklarata të ashpra. Siç transmeton Koha Jonë, në të dy rastet sulmohet hapur ambasadori Donald Lu.

Vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha, në një komunikim me gazetarët, pas mbledhjes së grupit parlamentar i kërkoi diplomatit amerikan të mos e mësojë se cila është detyra e një opozite në vend. I pyetur se cili ishte komenti i tij për kërkesën e ambasadorit amerikan, që PD-ja të mos e dërgonte në Gjykatën Kushtetuese ligjin e Vetingut, Basha u përgjigj: “Nuk ka nevojë të mi citosh fare (deklaratat e Donald Lu) sepse unë nuk pres nga asnjë ambasador të më tregojë se cila është detyra kushtetuese e PD-së, e opozitës apo e imja si qytetar. Ambasadorët kanë detyrën e tyre, unë kam detyrën time dhe e kam kryer me ndërgjegje të plotë”.

Të mërkurën ishte Sali Berisha ai që mbajti qëndrimin më të ashpër ndaj diplomatit numër një të SHBA në Tiranë, Donald Lu. I ftuar në studion e gazetares Eni Vasili në Neës 24, Berisha tha se deklarata e ambasadës për protestën e shoqërisë civile ishte njëlloj si të jetë shkruar nga Gramoz Ruçi. Sipas Berishës, diplomati që përfaqëson interesat e SHBA-së në Tiranë është bërë një përkthyes i interesave të Kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste. Berisha shkoi edhe më tej në qëndrimin e tij, teksa e cilësoi ambasadorin si një guvernator dhe përmendi çështjen e sovranititetit të vendit. Nuk ka se ku të shkojë me keq marrëdhënia mes një ambasadori të huaj dhe një partie politike e cila mbetet opozita kryesore.

Gjatë muajve të fundit, deputetë të veçantë në PD në qëndrimet e tyre kanë lënë të kuptohet se mes selisë blu dhe ambasadës amerikane nuk ka raporte normale. Megjithatë, deri në sulme të tilla të hapura ndaj Ambasadorit, kryetari Basha nuk kishte tentuar të kalonte më parë. Lulzim Basha e njeh vijën e kuqe në raport me SHBA, por këtë herë kaloi me semafor të kuq kryeqëzimin e madh ku i futi ish-lideri Berisha marrëdhëniet PD-Ambasadë Amerikane. Në të vertetë deklarata e ambasadës amerikane një ditë para protestës së shoqërisë civile kishte nonsens. Deklaratë tendencioze ishte në thelb.

Dy qëndrimet e drejtuesve kryesorë të PD-së janë ndër rastet e rralla kur një parti politike ndeshet hapur me Ambasadën Amerikane në Tiranë. Në historinë e vendit, deklarata të tilla ndaj SHBA janë bërë vetëm gjatë Berishës vitet 1996-1997. Në ato vite marrëdhëniet e Presidentit Berisha arritën acarimin më të madh me Uashingtonin pë shkak të manipulimit të zgjedhjeve në vititn 1996, lirisë së medias dhe dënimeve që po u bëheshin kundërshtarëve politikë. Por sidomos tw zgjedhjeve të vjedhura të 26 majit dhe mospranimit të sugjerimit amerikan për përsëritjen e zgjedhjeve në 40 zona elektorale. Pas 26 maj 1996 filloi plani amerikan “Çarls Walsh” që rezultoi me rrëzimin e Berishës në vitin 1997, pas luftës civile.

Ndryshimi është se këtë herë PD dhe Berisha janë në opozitë dhe pika kryesore ku ka ndodhur përplasja është reforma në drejtësi. Pas qëndrimit të Bashës, nuk ka vonuar dhe reagimi i Ambasadës Amerikanë. Në media, ambasada mbajti të njëjtin qëndrim që kishte mbajtur më parë lidhur me kërkesën e PD-së për të çuar në Gjykatën Kushtetuese ligjin e kontrollit të gjyqtarëve.

“Është e drejta kushtetuese e opozitës ta ankimojë ligjin e vetting në Gjykatën Kushtetuese apo të bojkotojë mbledhjet e mëtejshme të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi. I kemi thënë udhëheqjes së Partisë Demokratike se rrezikojnë të bëhen ajo parti që populli shqiptar beson se është kundër kësaj reforme dhe se po mbron gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ose gjyqtarë e prokurorë tek të cilët kanë ndikim politik”,- thuhet në reagimin e Ambasadës. Në këtë mënyrë Ambasada u ka dhënë përgjigje qëndrimeve të drejtuesve të PD-së.

Megjithatë, nga ajo çfarë thonë Basha dhe Berisha, duket sikur problemi nuk është me Ambasadën, pra me Uashingtonin dhe qëndrimin e Qeverisë Amerikane, por personalisht me Ambasadorin, Donald Lu. Jo rastësisht Basha dhe Berisha përmendin deklaratat e tij dhe jo ato të Departamentit Amerikan të Shtetit. Mosmarrëveshjet PD-Lu kanë disa muaj që kanë nisur.

Këto ditë vetëm sa janë zyrtarizuar në qëndrime publike. Por e gjitha kjo situatë problematike PD me Donald Lu forcon pozitat e kryeministrit Rama në Departamentin e Shtetit Amerikan. I jep mundësinë të kap dhe një mandat të dytë qeveritar. Gjithnjë nëse nuk prishet në raportet PS-LSI.