BESA pyet MASH-in: Kujt i shërbeni nëse jo arsimit shqip?

Megjithëse problemet e arsimit në Maqedoni thuajse gjithkund janë njësoj, Lëvizja BESA – Butel ngre zërin e arsyes për Sh.f. “Liman Kaba” në Luboten të Komunës së Butelit, thuhet në kumtesë.

Shkolla fillore “Liman Kaba” në Luboten të komunës së Butelit, është ndërtuar në vitin 1945 dhe tash nuk i plotëson kushtet për zhvillimin e procesit mësimor. Mungojnë laboratorët, kabinetet, e veçmas problem këto ditë paraqet mungesa e sallës së edukatës fizike për nxënës. Mbi 400 fëmijë edhe këtë vite shkollor mësimin do të ndjekin në këtë objekt të vjetruar, që nuk ka as hapësire të mjaftueshme për trajtimin e nxënësve.

“Përveç hapësirës, kësaj shkolle i mungon edhe salla e sportit ose e edukatës fizike. Prandaj fëmijët ose nuk e realizojnë fare këtë lëndë ose e realizojnë në kushte të natyrës së hapur pa mjete dhe kushte mësimore. Ndonëse është detyrim i shtetit të krijojë kushte për këtë, u detyrua fshati të blejë truall, që Ministria e Arsimit dhe Shkencës të ndërtojë sallë sporti, por përkundër kësaj – që nuk ndodhë në asnjë vend tjetër në Maqedoni – salla nuk u bë dhe fshatarëve u mbeti faji se pse nuk e kanë rregulluar dokumentacionin. Sikur ata janë qytetarë privatë të një shteti të marsit e jo të këtij vendi!” theksohet në kumtesë, “Për fat të keq, kjo është gjendja e shkollës së Lubotenit, ndërsa informacioni zyrtar është se tashmë disa vite Ministria e Arsimit udhëhiqet nga shqiptarë të partisë shqiptare në pushtet, që i bie se ata janë fajtorët kryesorë të kësaj gjendje. Prandaj, nuk mund të mos pyesim se kujt i shërbejnë ata nëse jo arsimit shqip?”