Besimtarët myslimanë nesër festojnë Kurban Bajramin apo Bajramin e Haxhit.
Më shumë se 700 haxhilerë nga Kosova janë duke e kryer këtë obligim këtë vit.
Hoxhë Lulzim Susuri nga Arafati, në Sytë 7 në Klan Kosova, ka treguar se si po shkon ky obligim fetar për besimtarët dhe riteve që bëjnë të njëjtit.
Susuri, mes tjerash, bëri të ditur se haxhilerët kosovarë janë shëndosh e mirë dhe nuk kanë asnjë telash deri tani, teksa tani gjenden në Arafat – ku ritet aty cilësohen si kyçe në kuadër të gjithë Haxhit.
Sipas tij, kësaj radhe, pas dy vitesh nuk ka as kufizime ndaj pandemisë COVID19, përveç kushtit që të interesuarit mbi moshën 65 vjeçare, nga e gjithë bota, nuk patën mundësi të kryejnë obligimin fetar.
Hoxhë Susuri, në Sytë 7 në Klan Kosova, tha se në të tilla ngjarje, sa do që kanë rëndësinë e tyre fetare, luajnë rol edhe në sferën e afirmitetit të shtetit.
Kësisoj, kosovari nga zona e Prizrenit, tha se kanë pasur mundësi të kontaktojnë me haxhilerë të vendeve të ndryshme, ku u kanë folur për Kosovën, madje edhe tek shtetet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë.
Gjatë ditës së sotme, haxhilerët janë të liruar nga namazi i xhumasë, e po ashtu as nesër nuk bëjnë falje të namazit të Kurban Bajramit, pasi janë me rite tjera të Haxhit./ORAinfo