Sakte.net / E shtune, 08 Tetor 2016 – 17:09
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i bëri apel qytetarëve shqiptarë që të mos mbjellin kanabis, pasi kjo nuk është mënyra e duhur për të luftuar varfërinë.
Në një deklaratë për aksionet e fundit anti-kanabis, Tahiri tha se policia ka shkatërruar 99 për qind të hapësirës së identifikuar ndërsa beteja po vazhdon.
“Unë i kuptoj qytetarët e zonave më të thella të Shqipërisë, që ngasja për të luftuar varfërinë, i çon te prova për të shkelur ligjin duke mbjellë disa rrënjë kanabis. Nuk i quaj kolumbianë e trafikantë siç bën opozita, por sigurisht i them se kjo nuk është mënyra për të luftuar varfërinë”, ka thënë ai, njofton Top Channel.
“I kuptoj qytetarët në çdo fshat e qytet, që ngasja për të luftuar papunësinë, i çon te puna e paligjshme në këtë biznes të paligjshëm. As këta nuk i quaj kolumbianë, as i quaj trafikantë, siç bën opozita. Por sigurisht i them se kjo nuk është mënyra për të luftuar papunësinë”, deklaroi Tahiri.
Ministri i Brendshëm pranoi se Shqipëria ka një problem me kanabisin, por që qeveria po bën përpjekje që ta zgjidh njëherë e përgjithmonë.