Kryeministri Rama u betua mbrëmjen e kësaj të marte pranë Presidentit Meta, duke marrë kështu zyrtarisht edhe detyrën e ministrit të Jashtëm, për të cilën u votua një ditë më parë në Parlament.
Ndryshe nga sa ndodhi me ministrat e rinj të Qeverisë, kjo ceremoni ishte mjaft e shkurtër dhe jo mediatike.
Rama hyri në selinë e Presidencës rreth orës 19:00 dhe doli 10 minuta më pas, gjë që la të kuptohet se takimi ka qenë strikt në aspektin formal dhe protokollar, por asgjë më shumë sesa kaq.
Presidenca publikoi fotot dhe njoftimin nga ky takim. Nga fotot dallohet atmosfera e akullt mes dy drejtuesve të lartë të shtetit shqiptar.
“Në Institucionin e Presidentit të Republikës u zhvillua ceremonia e betimit të Ministrit të ri për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, e njëkohësisht Kryeministër, Sh. T. Z. Edi Rama, u betua sonte, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë.
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, duke i dorëzur dekretin, i uroi suksese në këtë detyrë shumë të rëndësishme.
Në ceremoni ishte i pranishëm Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës,” thuhet në njoftim.
Rama e mori vet drejtimin e Ministrisë së Jashtme, pasi Presidenti Meta refuzoi kandidaturën e Gent Cakajt, gjë që solli edhe një përplasje institucionale mes tyre, arsye për të cilën kryeministri ka deklaruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.