Presidenti amerikan, Joe Biden u largua nga kryeqyteti ukrainas. Ai vizitoi Kievin sot në një lëvizje surprizë
BILD
Menjëherë pasi u bë e ditur vizita sekret, Zelensky deklaroi: “Joe Biden, mirë se erdhe në Kiev! Vizita juaj është një manifestim shumë i rëndësishëm i mbështetjes për të gjithë ukrainasit”.
Në një deklaratë, Biden iu drejtua diktatorit të Kremlinit, Vladimir Putin: “Kur Putini filloi pushtimin e tij pothuajse një vit më parë, ai mendoi se Ukraina ishte e dobët dhe Perëndimi ishte i ndarë. Por Putini ishte krejtësisht i gabuar”.
Biden njoftoi se do të dërgojë 500 milionë euro të tjera ndihmë ushtarake në Ukrainë. Këtu përfshihen municione artilerie dhe sisteme radari. Ai premtoi: “Mbështetja do të vazhdojë”.
Vizita u mbajt tepër sekret. Biden planifikoi një udhëtim në Poloni për t’u takuar me presidentin Andrzej Duda. Të premten në Uashington, këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha se nuk ishte planifikuar një takim me presidentin ukrainas gjatë këtij udhëtimi. Kur u pyet nga mediat nëse presidenti planifikon të udhëtojë përtej kufirit për në Ukrainën fqinje, Kirby tha: JO!
Vizita e Biden në Kiev është një shfaqje e mbështetjes për Ukrainën. Koha është simbolike: e premtja shënon përvjetorin e parë të sulmit të Rusisë në të gjithë Ukrainën.
Masat paraprake të sigurisë në kryeqytetin ukrainas ishin të forta: videot në median sociale tregojnë rrugë të bllokuara dhe kolona me automjete të blinduara. Edhe para se të bëhej vizita e Biden në Kiev, vëzhguesit thanë se pritej të vinte një ‘mysafir i madh’.
Kievi është vazhdimisht objektiv i sulmeve ruse. Diktatori i Kremlinit, Putin e sulmon rregullisht kryeqytetin ukrainas me raketa dhe dronë kamikazë. Vetëm javën e kaluar, më shumë se 30 raketa u hodhën në Kiev, shumica e të cilave u kapën nga mbrojtja ajrore e Ukrainës.
Të hënën në mëngjes, ndërsa banorët e Kievit ishin ende në mëdyshje për mysafirin e tyre të papritur, sirenat u dëgjuan në të gjithë Ukrainën: alarm ajror…
© SYRI.net