Statistikat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për tregti të jashtme për muajin qershor të këtij vitit tregojnë se krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, në Kosovë ka pasur rënie të importit dhe eksportit.
Ndonëse tregohet se ka pasur rënie të deficitit tregtar për rreth 9 për qind, ai vazhdon ende të jetë i lartë dhe eksporti e mbulon importin me vetëm 11.7 për qind, shkruan sot Koha Ditore.
“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për 9.9 për qind në muajin qershor të vitit 2019, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 243.1 milionë eurosh krahasuar me deficitin 269.8 milionë euro në vitin 2018. Eksporti mbulon importin me 11.7 për qind”, thuhet në raportin e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin qershor 2019.
Sipas këtij raporti, eksporti i mallrave në muajin qershor 2019 kishte vlerën 32.1 milionë euro, ndërsa importi 275.2 milionë euro. Këto shifra tregojnë një rënie prej 13.6 për qind për eksport, si dhe 10.3 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 39.2 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 14.8 për qind plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, 11.3 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 8.4 për qind produktet minerale, 4.8 për qind artikuj të ndryshëm të prodhuar, 4.1 për qind produktet bimore, 3.8 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 2.5 për qind tekstil dhe artikuj tekstili e të tjera.