BIRN: Sulmet e Ramës ndaj SPAK vënë në pikëpyetje angazhimet e qeverisë për integrimin

Në fillim të dhjetorit 2024, Shqipëria u ul në tryezën e dytë ndërqeveritare me Bashkimin Europian dhe zyrtarizoi çeljen e negociatave për grupin e parë të kapitujve, të njohura si “Themeloret”, në bisedimet për anëtarësim.


Grupi i kapitujve “Themeloret” përfshin funksionimin e institucioneve demokratike, reformën në Administratën Publike, Gjyqësorin, Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë si dhe Prokurimet Publike.

Në fushën e drejtësisë, pala shqiptare premton angazhimin për të ruajtur reformën e arritur në vitin 2016 dhe përmirësimin e saj me “ndryshime ligjore që i përmbahen parimeve të reformës në drejtësi”.

Por këto angazhime në kuadër të procesit të integrimit bien në kontradiktë me qasjen e re të kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës qeverisëse ndaj institucioneve të drejtësisë dhe në veçanti SPAK-ut, pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Në disa dalje publike të njëpasnjëshme, kryeministri Edi Rama kontestoi arrestimin e Veliajt, sulmoi prokurorin dhe gjyqtarin e çështjes dhe paralajmëroi se ai vetë nuk do t’i pranonte më “paraburgimet me një të rënë të lapsit dhe këto noterizimet në Gjykatën Speciale”.

Rama po ashtu i krahasoi hetimet e Prokurorisë së Posaçme me metodat e Ish-Sigurimin famëkeq të kohës së diktaturës dhe në një rast kur SPAK publikoi strategjinë e hetimit të krimeve zgjedhore, kërkoi ndërprerjen e këtij plani duke pretenduar cënim të lirisë së partive politike.

Sulmet verbale të kreut të qeverisë, i cili deri dje kishte mbrojtur reformën në drejtësi që prodhuan institucione si SPAK, frymëzuan një protestë të paprecedentë kundër kësaj strukture nga mbështetësit e Veliajt dhe Partisë Socialiste, duke vënë kështu në dyshim angazhimet e mazhorancës në negociatat me BE.

SPAK u krijua në fund të vitit 2019 si një nga institucionet e reja që prodhoi reforma e thellë në drejtësi, e miratuar me konsensus politik në vitin 2016, me nxitje të fortë nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

Menjëherë pas sulmeve publike të Ramës, përfaqësues të BE-së ritheksuan rëndësinë “kyçe” që kanë për integrimin këto institucione të reja.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato e cilësoi reformën në drejtësi dhe krijimi i SPAK-ut si një “gur themeli në anëtarësimin e Shqipërisë në BE” dhe theksoi angazhimin e BE-së për rritjen e efektivitetit të SPAK-ut dhe të gjithë sistemit gjyqësor, gjatë një qëndrimi publik në fund të shkurtit.

Komisioni parlamentar për Integrimin i kaloi në heshtje sulmet politike dhe anëtarët e mazhorancës dhe të opozitës në këtë komision nuk iu përgjigjen pyetjeve të BIRN për ndikimin që këto sulme mund të kenë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Ndërkohë, përfaqësues të politikës dhe shoqërisë civile e shohin sjelljen e Kryeministrit dhe mazhorancës si cënim të sistemit kushtetues të vendit, me pasoja negative edhe në procesin e integrimit europian.

Për Arlind Qorin, kryetar i “Lëvizjes Bashkë”, sulmet ndaj institucioneve të drejtësisë janë shkelje e detyrimeve që ka vendi ynë në procesin e negociatave.

“Këto shkelje janë të rënda në vetvete, edhe pa marrë në konsideratë procesin e integrimit,” tha Qori për BIRN.

“Sulmet e kryeministrit Rama ndaj prokurorëve dhe gjykatësve, por edhe turmat e patronazhistëve dhe mungesa e Policisë së Shtetit përpara SPAK-ut, janë në radhë të parë një përpjekje  për frikësimin e tyre për shkak të detyrës dhe cenim i parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve,” shtoi ai.

Sipas Qorit, shteti i së drejtës, pavarësia e gjyqësorit dhe në përgjithësi institucionet e qëndrueshme janë kritere të detyrueshme për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

“E kam të vështirë të përfytyroj se si mund të tolerohet një shkelje e tillë në negociatat me Bashkimin Evropian,” theksoi Qori, duke shtuar se “Shqipëria duhet të hyjë nga dera e parë në Bashkimin Evropian dhe jo si koncesion gjeopolitik, që amniston shkeljen e parimeve themelore të shtetit të së drejtës”.

Ndërsa Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime Ekonomike, e sheh procesin e negociatave me BE-në të konsoliduar dhe të pandikueshëm, por thekson se këto sulme janë  cënim i sistemit kushtetues të vendit dhe me efekte negative në proceset e tjera politike.

“Çfarëdo ndërhyrje e një gjymtyre të shtetit siç është ekzekutivi mbi një pushtet tjetër, në rastin tonë në drejtësi, cënon padyshim Kushtetutën e vendit dhe është e mbarsur me ndikime negative mbi procesin politik në përgjithësi në vend,” tha Preçi.

Sipas tij, të dhënat dëshmojnë se ndryshimi i kursit të mazhorancës së majtë ndaj drejtësisë ka nisur disa muaj para arrestimit të Veliajt, duke treguar një marrëdhënie të tensionuar me organet e drejtësisë që para tryezës ndërqeveritare me BE-në.

Preçi i sheh përpjekjet e Ramës dhe mazhorancës së tij për të frenuar veprimtarinë e SPAK-ut të pasuksesshme dhe se ato duhen vlerësuar sipas tij vetëm në kontekstin e zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit.

“Aq më pak këto sulme, sidomos gjatë dy javëve të fundit, nuk kanë cenuar procesin në zhvillim e sipër të negociatave të vendit me BE, kjo edhe për faktin se negociatat janë të shtrira në kohë,  kërkojnë disa vite e dekada….,” thotë Preçi.

“Procesi i integrimit gëzon një konsensus dhe mbështetje diplomatike të gjerë dhe nuk mund të jetë thjesht subjekt i vullneteve indviduale qeverisëse, qoftë ky edhe vullneti i kryeministrit Rama,” përfundoi ai./ BIRN

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme