Bisedat e fundit, pengjet dhe sëmundja, miqtë e Ismail Kadare rrëfejnë amanetin e shkrimtarit! Botuesi Bujar Hudhri: U dobësua fizikisht, dilte me vështirësi

ENIDA HIMAJ/ Ismail Kadare ka ndërruar jetë mëngjesin e ditës së hënë, si pasojë e një arresti kardiak. Gjeniu i letërsisë ishte ndër figurat më të spikatura në vendin tonë, por edhe ndërkombëtarisht.


Të shumtë kanë mesazhet ngushëlluese, që kanë mbërritur për këtë humbje të madhe të vendit tonë. Ndërkohë, miqtë dhe bashkëpunëtorët e afërt kanë ndarë me mediat, ditët e tij të fundit. Botuesi i Ismail Kadaresë, Bujar Hudhri, i cili ishte një nga personat e tij më të afërt, ka ndarë detaje për mediat nga ditët e fundit të gjeniut.

 “Nuk e kisha menduar një lajm të tillë, kam menduar që një shkrimtar i madh si Kadare nuk i përket kësaj bote, por një planeti paralel të letërsisë, ku nuk ka kohë dhe limite. Kadare më thoshte që shtëpia botuese është shtëpia e dytë e shkrimtarit, në rastin më të mirë është shtëpia e vërtetë e shkrimtarit dhe më shumë se kurrë i ndjej këto fjalë si një njeri i shtëpisë së tij letrare, që e lidhja me botën që kontribuoja për letërsinë botërore. Unë e kam ndjerë gjithmonë këtë raport timin, unë jam botuesi i tij, miqtë e tij janë Homeri, Shekspiri, Eskili, nuk janë askush tjetër në këtë botë”, – shprehet Hudhri.

Për herë të parë, botuesi shpreh edhe merakun që Kadare kishte, para largimit të tij nga kjo botë.

“Mendoj që ka ikur i lumtur, edhe pse nuk i shkon letërsisë së tij kjo fjalë. Ishte i lumtur që vjet ‘Onufri’ nxori veprën e tij të plotë me 7 vëllime, që koincidonte 70 vjet me letërsinë e tij. Në ato 7 vëllime herë 1000 faqe, një numër biblik që e zgjodhi vetë Kadare, jam i lumtur që kjo vepër madhështore u promovua në panairin e librit në Prishtinë, me praninë e Kadaresë. Ishte një atmosferë që Kadare u ndje shumë mirë”.

Më tej, ai zbuloi se kohët e fundit shkrimtari ishte dobësuar nga ana shëndetësore, duke zbuluar se dilte me vështirësi.

“Ka qenë i dobët fizikisht, kishte dëshirë të dilte, dilte me vështirësi. Dilte te kafja e tij e preferuar, ku takonte njerëz nga më të ndryshëm. Ishte në Tiranë dhe kanë qenë orët e tij më të bukura në kafene, duke biseduar dhe takuar njerëz. Kadare është pjesë e thesarit botëror, mori çmimet më të larta, vlerësimi më i madh është që është në panteonin e letërsisë botërore. Një shkrimtar nuk ka lindje dhe vdekje, nuk ka një kufi kohor”.

Sipas Hudhrit, si një prej personave që ka qenë pranë tij, poeti nuk kishte pengje.

“Pengu më i madh i një shkrimtari është që të mos e nxjerrë veprën e tij. Në këtë pikëpamje, Kadare nuk mund të kishte asnjë peng, sepse ai gjithçka që ka shkruar ia ka dhënë publikut shqiptar, lexuesit shqiptar. Si botues e kam pasur komoditetin që të kishim kohën e domosdoshme të nevojshme, që krejt vepra e tij të jetë në duart e lexuesit. Në këtë pikëpamje s’ka peng. Pengu është i yni, sepse do donim që një shkrimtar të madh si ai ta kishim mes nesh. Por duke gjykuar që vepra letrare nuk ka kohë, kështu mund ta përfytyrojmë që Kadareja të jetë gjithmonë mes nesh”, – thotë Hudhri.

Fotografi Roland Tasho ka rrëfyer për mediat sesi nisi miqësia e tij me shkrimtarin Ismail Kadare. Ai tregon historinë, ku gjatë një ekspozite të tij dy punonjëse bashkie në Paris u emocionuan kur takuan Kadarenë dhe se ato e njihnin Shqipërinë nëpërmjet tij.

“Lajmi për ndarjen nga jeta ishte i papritur. Mu duk e vështirë kur më morën dhe më thanë lajmin. Para disa ditësh, ai dilte dhe pinte kafen në lokalin e lagjes. Unë Kadarenë e njoh gjatë kohës që isha me bursë në Paris dhe takoheshim herë pas herë dhe kur e ftoj në ekspozitën time, ai erdhi bashkë me të shoqen. Sapo e morën vesh që do vinin këta të dy, vjen një drejtoreshë nga Bashkia e Parisit dhe po ashtu edhe presidentja e zonës Madam Bernot dhe takohen me Kadarenë dhe Helenën dhe në cep të sallës ishin edhe dy vajza të reja nëpunëse në bashki dhe i thotë drejtoresha e bashkisë, Kadaresë ‘mund të takojnë edhe këto dy punonjëset’. Dhe ato e njihnin mirë Kadarenë edhe kur ai i ftoi që t’i takonte ato u skuqën. E njihnin Shqipërinë nëpërmjet Kadaresë”, – tha ai.

Poeti dhe pedagogu i Letërsisë, Sadik Bejko, iu është bashkuar reagimeve për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare. Në një lidhje ‘live’ për “News 24” miku i tij tregoi njohjen e çmuar me Kadarenë dhe ditët e fundit të jetës së shkrimtarit të madh.

“Në këtë shekull që kemi hyrë dhe në shekullin që shkoi, vdekja e Kadaresë është humbja më e madhe. Kemi humbur një shkrimtar të madh, një figurë botërore të letrave. Është quajtur një nga mendjet më të rëndësishme europiane. Kemi humbur njeriun tonë më të madh. Ne shkrimtarët kemi humbur personalitetin e madh, personalisht kam humbur një mik të madh. Më ka lidhur me të një dashur dhe miqësi gjysmëshekullore. Është një nga lajmet më pikëlluese për mua. Humbje të tilla të kthehen në mirësi, në mençuri, në mendime që mund t’i sjellim mbarësi këtij populli, që Kadare, nga të gjithë njerëzit, e bëri me lavdi. Vitet e fundit pranë tij ka qëndruar Bujar Hudhri.

Ai e ka shoqëruar çdo ditë Kadarene, unë dhe shumë njerëz të tjerë. Dilnim me të. Ne që ishim miqtë e tij i jepnim forcë. Kadare ishte gjithmonë, kur binte fjala për të folur për gjërat me rëndësi, ishte i freskët. Gjykonte saktë dhe jepte mendime të shkëlqyera. Ai shprehej përherë me dashuri dhe shqetësim për gjërat që ndodhnin. Ishte një njeri që e kishte dashur vendin e tij jo për modë, por me thellësinë e një ati dhe një biri të mirë të tokës së tij të shëndetshëm. Ai gjithmonë na thoshte se kishte nevojë për njerëz, për miq, të dilte. Ai ishte kthyer nga mesi i pandemisë. Ai jetoi dy dimrat dhe verat e fundit pa ndarje nga Shqipëria. I kishte ‘kthyer’ shpinën vendeve të tjera”, – tha ai.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme