Pak orë pas këtij takimi Pacolli në rezidencën e tij, në Prishtinë, ka nënshkruar marrëveshjen e koalicionit me liderët e PAN-it, Kadri Veselin, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn, transmeton zeri.info.
Por Avdullah Hoti, nga LDK-ja, pas takimit me Dardan Sejdiun nga LVV-ja dhe me Ilir Dedën nga Alternativa ka deklaruar se nga sot do të kenë takime më të shpeshta.
“Do të kemi takime ditore dhe do të njoftoheni. Tashmë e dimë se cilat janë pikat që na bashkojnë dhe do ta shohim se si të vazhdojmë”, deklaroi ndër të tjerash Hoti. Ai madje shpresonte se Pacolli nuk do ta braktisë koalicionin me LDK-në.
“Në bazë të fjalimit të tij është i interesuar që të krijojë një grup të tij parlamentar dhe ka shprehur dëshirë që ne të përafrohemi me ‘Vetëvendosjen’”, deklaroi Hoti, transmeton zeri.info.
Ndërkaq Dardan Sejdiu, nga lëvizja “Vetëvendosje”, ka thënë se në këtë takim të përbashkët janë dakorduar që “Vetëvendosja” bashkë me LDK-në e me Alternativën të vazhdojnë me punën në ndërtimin e platformës qeverisëse. “Ne u dakorduam që të vazhdojmë me punën në ndërtimin e një platforme qeverisëse. Është lajm i mirë që prej sot jemi më të vendosur që të punojmë më shumë rreth kësaj. Jemi dakorduar që edhe nesër të vazhdojmë takimin e radhës”, ka thënë Sejdiu. Ai po ashtu ka thënë se ky vend ka nevojë për një Qeveri të mirëfilltë, e cila ka program e platformë qeverisëse e jo për pazare e numra politikë. “Kosova ka nevojë për një Qeveri të tillë, pra qeveri e cila bazohet në platformë e program e jo qeveri e cila bazohet në numra e pazare”, ka thënë Sejdiu.
Me këtë rast ai ka ftuar AAK-në e Nismën për Kosovën që t’i bashkohen LDK-së, AKR-së e Alternativës që të formojnë një Qeveri shqiptare dhe ta çojnë në opozitë PDK-në.
“Me LDK-në e me Alternativën kemi një diskutim për një Qeveri shqiptare, pra me 61 deputetë shqiptarë, prej këtu i bëj thirrje LDK-së, AAK-së, Nismës që të na bashkohen dhe PDK-ja të shkojë në opozitë”, deklaroi Sejdiu
Ndërsa Ilir Deda, nga Alternativa, ka thënë se ky takim i mbajtur është frymë e takimit të para 10 ditëve të këtyre partive. “Takimi që u mbajt sot është në frymë të takimit para 10 ditësh, ku jemi marrë vesh, janë caktuar njerëzit e grupeve punuese dhe e kemi parë përafërsisht cilat pika programore, vetëm ekziston dakordanca dhe ato pika do të listohen nesër e do të shohim se cilat pika kanë nevojë për diskutim dhe kompromis dhe cilat duhet të jenë në nivel më të lartë politik”, ka thënë Deda. Ai këtë takim e ka quajtur si hap të duhur, i cili edhe pse i vonshëm prapëseprapë është i duhur.