Bizneset në veri nuk i japin llogari shtetit, Kosova humb mijëra euro

Rreth gjysma e bizneseve që veprojnë në veri të Mitrovicës, nuk janë tatimpagues të rregullt në Administratën Tatimore të Kosovës. Humbjet llogariten të jenë të mëdha ndër vite nga evazioni fiskal në tri komunat e Mitrovicës në veri.

Përfaqësues të bizneseve për rajonin e Mitrovicës, thonë se buxheti i shtetit të Kosovës ka humbur dhjetëra milionë euro ndër vite nga evazioni fiskal në pjesën veriore. Ndërsa, drejtues të ATK-së nuk kanë të dhëna se sa mund të jenë humbjet financiare në atë pjesë nga tatimpaguesit jo të rregullt.

Drejtori i Departamentit të Administratës së Financave në Odën Ekonomike të Kosovës, njëherësh koordinator i Njësisë Rajonale të Mitrovicës, Rrustem Abiti thotë për KosovaPress, se shumë biznese në veri të cilat funksionojnë në forma ilegale, përveç që nuk ia paguajnë tatimet ATK-së, iu përgjigjen institucioneve të Serbisë.

“Diku nga bizneset e regjistruara i përgjigjen 50-60 për qind pagesës tatimore… Ka shumë biznese që nuk janë të regjistruara, nuk e di saktë, sepse të dhënat nga ajo pjesë ne nuk i posedojmë, por sigurisht se ka mjaft biznese të cilat funksionojnë në forma ilegale duke ju përgjigjur institucioneve të Serbisë. Edhe kjo është problem në vete, ka biznese që paguajnë tatime të dyfishta, paguajnë institucioneve të Serbisë, por edhe të Kosovës…Diku rreth 40 biznese të minoritetit serb janë të anëtarësuara në Odën Ekonomike të Kosovës… Sipas disa hulumtimeve llogaritet se miliona euro janë humbje nga evazioni fiskal dhe kjo shkakton dëme të mëdha funksionimit të ekonomisë, bizneseve, funksionimit të shtetit”, thotë Abiti.Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj thotë për KosovaPress, numri i bizneseve të rregullta nga komuniteti serb në veri është mbi një mijë, që sipas tij, nuk është numër real.Mirëpo, Murtezaj nuk ka informacione se sa biznese jo të rregullta operojnë në veri të Mitrovicës.

“Ne nuk kemi të dhëna se sa ka humb Kosova nga veriu. Atë që mund t’ju informoj se vitin e kaluar nga bizneset e pjesës veriore janë inkasuar 1.6 milionë euro. Kjo i bie që rreth 15 përqind e shumës së tatimeve që janë mbledhë nga regjioni i Mitrovicës. Në regjionin e Mitrovicës janë mbledhur rreth 11 milionë euro, prej tyre 1.6 milionë euro janë mbledhë nga bizneset e komunitetit serb… Janë rreth 1 mijë e 97 tatimpagues në veri që janë aktiv dhe paguajnë, njeri prej tyre është tatimpaguesi më i madh në regjionin e Mitrovicës…Nuk e kemi informatën se sa biznese janë, sigurisht që duhet me qenë një numër duke llogaritur një territor prej katër komunave atje. 1097 biznese nuk është një numër real, por ne synojmë që të gjithë tatimpaguesit e asaj pjese t’i fusim nën juridiksionin e ligjeve të Kosovës”, thekson Murtezaj.

Ndërsa, zëdhënësi i Doganës së Kosovës thotë për KosovaPress se biznese të ndryshme në veri të Mitrovicës janë zënë gjatë tentim kontrabandimit, përmes rrugëve malore, si nga pjesa veriore, ashtu edhe nga pjesë të tjera.

“Dogana punon me të gjitha bizneset në Kosovë, por rreth 95 për qind të bizneseve janë të rregullta, të cilat importet e tyre i kryejnë në mënyrë ligjore. Normalisht kemi raste që edhe biznese të ndryshme janë kapur gjatë tentim kontrabandimit(në veri)… të cilët tentojnë të kontrabandojnë sasi të mallrave përmes rrugëve malore, si nga pjesa veriore, ashtu edhe nga pjesë të tjera”, thotë Stavileci.Në periudhën e fundit, Dogana ka zënë mbi 20 raste të kontrabandimit në veri të Mitrovicës, prej tyre pesë mauna me mallra ushqimore.Ekipi i KosovaPress ka qëndruar në pjesën veriore, ndonëse pronarët e bizneseve në atë pjesë nuk kanë dëshiruar të flasin, për shkak të pasojave që mund t’i kenë nga komuniteti i tyre.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme