Në numrin e sotëm, “Koha Ditore” ka publikuar një hulumtim, nëpërmjet të cilit është gjetur se nga katër grupe biznesesh që nga Ministria e Bujqësisë kanë përfituar grantet njëmilionëshe, vetëm njëri i plotësonte kriterin specifik të pranueshmërisë, me të cilin kërkohej nga aplikuesit që të ishin të regjistruar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) së paku dy vite përpara datës së aplikimit. Nuk ishte kjo shkelja e vetme e bërë gjatë implementimit të masës. Së paku edhe dy të tjera janë evidentuar.
Mbështetur në listën e vlerësimeve finale që e ka bërë Ministria, me njërin milion është mbështetur konzorciumi prej këtyre kompanive: “Novus”, “Sofra Distribution”, “Blerimi-B” dhe “Katering Prishtina”. Aksionari i vetëm në kompaninë e parë të këtij konzorciumi është Pleurat Halili, dhe është përfaqësues i këtij grupi biznesesh për projektin e ndërtimit të tregut të produkteve bujqësore “Horec Agromarket”, raporton Koha Ditore.
Milioni tjetër ka shkuar tek konzorciumi që përbëhet nga kompanitë “Dhemetra”, “Dhemetra Joint Venture” dhe “Moea”. Në të tria bizneset, aksionar është Armend Malazogu, i cili është edhe përfaqësues i konzorciumit që ka siguruar mbështetje për ndërtimin e kapaciteteve për prodhimin e plehut organik.
Të dy milionët janë ndarë për dy projekte të ndryshme, njëri nga të cilët duhet të zbatohet në Prishtinë e tjetri në Gjilan. Por, janë tre emra aksionarësh që rezultojnë të kenë përfituar nga të dyja projektet: Nijazi Shaqiri, Alban Ibrahimi dhe Bunjamin Alili. Në konzorciumin e parë, ata, bashkë me Malazogun, janë aksionarë në kompaninë “Moea”. Në konzorciumin e dytë, janë tre nga pesë aksionarët e kompanisë “Sofra Distribution”.
Grantet u ishin dhënë duke shpërfillur rregullat në fuqi. Kjo pasi, ndryshe prej asaj që kërkonte udhëzimi administrativ i nxjerrë për këto grante, asnjë nga bizneset në të dy konzorciumet nuk ishin regjistruar së paku dy vite më herët në AUV.
Përfitues tjetër është dhënë Rade Utviqit, një fermeri serb që përfaqëson kooperativën bujqësore “Zubin Potok”. Ai ka fituar si subjekt më vete. Ky biznes ka marrë një milionë euro nga buxheti i shtetit për ngritjen e një objekti për magazinimin dhe ruajtjen e frutave, ani se, përpos që nuk ishte i regjistruar në AUV, nuk ishte regjistruar as në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) së paku dy vite para aplikimit, siç kërkonte udhëzimi administrativ për zbatimin e masës me të cilën janë ndarë grantet.
I katërti i është dhënë një grupi prej tri biznesesh, në njërën nga të cilat aksionar kryesor është Kamer Elezaj e në tjetrën ka gjysmën e aksioneve. Ai ka fituar grant për prodhimin dhe përpunimin e mishit, përkatësisht rritjen dhe therjen e brojlerëve. Ai përmbushte kriterin që lidhej me regjistrimin në ARBK dhe AUV. Por, sipas ARBK-së, biznesi kryesor i Elezajt kryen gjithçka, përfshirë rregullim kompjuterësh e punë sigurimi, por kurrkund nuk i është përshkruar se merret me mish.
© KOHA.