Deputeti i AAK-së, Blerim Kuçi me 23 janar të vitit që e lamë pas kishte deklaruar se nëse në vitin 2018 nuk bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën ai do të japë dorëheqje nga posti që e mbanë.
“Të paktën do jap dorëheqje nga posti i deputetit. Ky zotim do të kryhet, siç do të realizohen edhe premtimet tjera të Haradinajt”, kishte thënë Kuçi në Rubikon të KTV-së.
Në lidhje më këto deklarata Kuçi në një prononcim për portalin Kallxo tha sot se ai e ka bërë kërkesën tek Grupi Parlamentar i AAK-së dhe pritet të shqyrtohet.
“Unë e kam bërë kërkesën në Grup Parlamentar të AAK-së dhe në parti dhe në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë do të merremi me këtë çështje. Unë mendoj se njëherë nuk mundet të bëhet sepse është votimi i buxhetit dhe po ashtu edhe jemi pa KQZ”, tha Kuçi.
Portali Koha.net ka provuar që të vë kontakt me Blerim Kuçin, për të mësuar nëse dorëheqjen e ka dërguar edhe në administratë të Kuvendit, apo vetëm te grupi Parlamentar i partisë së tij. Në rast se do ta bënte këtë të parën, pushteti do të mbetej edhe me një deputet më pak, meqë KQZ-ja aktualisht nuk është funksionale, dhe rrjedhimisht nuk mund ta certifikojë deputetin që është në pritje.
Aktualisht pushteti është me minus një deputet, meqë Nezir Çoçaj i PDK-së ka paraqitur dorëheqjen në administratë, ndërsa KQZ-ja po e ka të pamundur që ta certifikojë Rafet Ramën, deputetin që është në pritje në listë, në bazë të votave të fituara në zgjedhjet e vitit 2017 me PAN-in.
Në rast se i miratohet kërkesa edhe Kuçit, pozitën e deputetit do ta fitonte Bislim Zogaj, i Partisë Demokratike të Kosovës, që do të mund të mund të bëhej deputet kur presidenti Hashim Thaçi vendos që ta zhbllokojë KQZ-në duke emëruar anëtarët sipas rezultatit të zgjedhjeve të kaluara.
Ndryshe, janë edhe 31 asamblistë të Komunave të ndryshme në gjithë Kosovën që kanë mbetur peng i mosfunksionimit të KQZ-së.