Blici i Beogradit për deklaratat e Pacollit: Prishtina po lëshon pe

A po e lëshojnë topin përtokë autoritetet e Prishtinës në negociatat me Serbinë? Beogradi s’është e thënë patjetër ta njohë pavarësinë e KeM-së (“Kosovë e Metohi”), por nuk do të duhej ta pengojë rrugën e Prishtinës – është deklarata e shefit të diplomacisë kosovare Behgjet Pacollit, e cila jep arsye për optimizëm në negociatat e ardhshme.

Kështu, siç transmeton Gazeta Express, shkruan gazeta “Blic” e Beogradit në edicionin e vet në internet, duke i cituar fjalët e Pacollit se “Serbia është faktor shumë i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në Ballkan” dhe se Beogradi do t’i kontribuojë shumë kësaj duke pranuar faktin se Kosova është e pavarur.

“Kjo është praktikisht deklarata e parë e një zyrtari të Prishtinës në të cilën nga Beogradi në mënyrë eksplicite nuk kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës, gjë që shkaktoi vëmendje të madhe të publikut në rajon”, shkruan blic.rs.

Gazeta serbe e cek faktin se Qeveria e Kosovës tashmë dy ditë nuk ka reaguar as për të konfirmuar as për të përgënjeshtruar mendimin e ministrit të vet si politikë të vetën zyrtare. “Vetë presidenti serb Vuçiq tha se nëse nga Serbia pritet që dialogu të jetë vetë njohja e Kosovës, atëherë ‘faleminderit dhe mirupafshim’. Propozimi i këtillë i Pacollit është, nëse asgjë tjetër; hap drejt dialogut”, konkludon mediumi serb.

Në tekstin më të gjatë jepen edhe reagimet e zyrtarëve serbë ndaj qëndrimit të shefit të diplomacisë së Kosovës.

Ministrja e Integrimeve Evropiane Jadranka Joksimoviq thotë se, përmes dialogut dhe Marrëveshjes së Brukselit, Beogradi “ndihmon dhe kontribuon për politikën e përbashkët të jashtme të BE-së, që nuk do të thotë obligim për njohjen e Kosovës, gjë për të cilën shihet qartë se është i vetëdijshëm edhe Pacolli”.

Nga Zyra për Kosovën thonë se Serbia kurrë s’do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se “Brukseli duhet ta ketë të qartë këtë dhe “të na pranojë të tillë çfarë në të vërtetë jemi”.

Drejtoresha e Qendrës për Politikë të Jashtme Aleksandra Joksimoviq gjithashtu e sheh deklaratën e Pacollit si “ballafaqim me realitetin pas një vargu të gjatë vitesh” dhe propozimin e tij e quan si një nga modelet për “zhvillimin e mëtejshëm të Ballkanit dhe hyrjen e tij në Bashkimin Evropian”.

Mediumi serb, siç transmeton Expressi, citon edhe analistët politikë Kosovarë, Albinot Maloku dhe Ymer Mushkolaj, të cilët theksojnë se deklarata e shefit të diplomacisë kosovare është në kundërshtim me politikën zyrtare të Prishtinës.

“Pacolli e ka përzier politikën me biznesin, duke harruar se është ministër i punëve të jashtme”, ka thënë Maloku, duke theksuar se deklarata e ministrit është në kundërshtim me konsensusin e të gjitha partive shqiptare në Kosovë si dhe me politikën shtetërore që ka për qëllim njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Ngjashëm si Maloku mendon edhe profesori Mushkolaj, i cili cek se “nuk është hera e parë që Pacolli të deklarojë diçka krejtësisht të kundërt nga qëndrimi i qeverisë së cilës i takon”.

“Unë më parë do ta kisha cilësuar këtë si lapsus të një politikani joserioz, sesa si një deklaratë në favor të ndonjë kompromisi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Mushkolaj për Blic../Gazeta Express/

https://www.blic.rs/vesti/politika/pristina-popusta-pacoli-je-izjavio-nesto-sto-se-niko-od-kosovskih-politicara-jos-nije/dsf8g4w?ref=fbblic

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme