Gazeta zvicerane “Blick”, ka shkruar një artikull për kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, e për pushimet e tij luksoze në Shën Moritz të Zvicrës.
Në fillim të artikullit, ata shkruajnë se si Haradinaj qysh në fillim të marrjes së mandatit si kryeministër, ia rriti vetës pagën, gjë që për popullsinë ishte akt i keq, transmeton Koha.net.
“Para së gjithash, kryeministri i sapo emëruar i Kosovës, Ramush Haradinaj, ia dyfishoi vetes pagën e më pas u largua me familje për pushime dimërore në Shën Moritz. Ai me familje shkoi në Hotel Cartlon”, shkruan gazeta Blick.
Tutje shkruhet se “kjo ishte një gjë e keqe për qytetarët e Kosovës”, e ndërsa i bashkëngjitën edhe një koment të një kosovari.
“Ky i ashtuquajtur kryeministër, dje ishte djali i një fermeri e sot rri në një nga hotelet më të shtrenjta në Zvicër”.
Edhe vetë gazeta Blick shkruan se në të vërtetë nuk dihet se sa kanë kushtuar këto pushime të Haradinajt, por duke u bazuar edhe nga shkrimet e medieve kosovare, kostoja ka shkuar në 80.000 franga ose 68 mijë euro.
Tutje kjo gazetë shkruan se kreu i qeverisë kosovare nuk i kushton shumë vëmendje këtyre komenteve, pasi thotë se pushimet i ka paguar vetë e jo nga fondet e shtetit.
“Vetëm 7 mijë euro kam paguar”, ka thënë kryeministri.
Blick gjithashtu shkruan se kjo nuk ishte hera e parë që kryeministrit kosovar i është kërkuar llogari t’u përgjigjet qytetarëve për pagën e tij.
Ajo shkruan se si kryeministri nga 1500 euro ia ka rritur vetes rrogën në 2950 euro, ndërsa citojnë Haradinajn kur ka thënë se “Më duhen para edhe për këmisha e kravata”.
Për fund, Blick shkruan: Kujtojmë se Kosova është një nga vendet më të varfra në Evropë. Shkalla e papunësisë është rreth 30 për qind.
© KOHA.