Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar të hënën se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj, e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb, nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj.
Rregullorja e BQK-së, e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, hyri në fuqi më 1 shkurt, me gjithë trysninë e madhe ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj.
Në një njoftim për media të hënën, BQK-ja njoftoi se ka hartuar një plan të ri për zbatim të lehtësuar të efekteve të rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara.
Serbët e Kosovës protestuan në Mitrovicën e Veriut të hënën kundër kësaj rregulloreje.
Plani i ri Bankës Qendrore kosovare vjen pas kritikave të shumta nga bashkësia ndërkombëtare ndaj autoriteteve kosovare pse nuk e kishin shtyrë afatin për zbatim të rregullores, duke thënë se duhet më shumë kohë për adaptimin e komunitetit serb me vendimin.
Më herët gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se, derisa Kosova nuk do të heqë dorë nga vendimi për ndalimin e dinarit për pagesa me para të gatshme, ai po i respekton kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për këtë çështje.
BQK-ja njoftoi se ka marrë një sërë masash lehtësuese për serbët e Kosovës në katër komunat veriore, përfshirë duke hapur një linjë telefonike falas (0800-222-55), një e-mailit për ankesa, si dhe numrit të dedikuar në ‘viber’.
Ndër masat lehtësuese që ajo ka ndërmarrë janë lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, pezullimi i përkohshëm i tarifës të BQK-së e aplikueshme për hapje të degëve/zyrave, “për të inkurajuar institucionet financiare jobankare (me theks për këmbimore) të licencuara për hapjen e zyrave në Komunat e Kosovës me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore”.
Gjithashtu, tha ajo, do lehtësohet këmbimi i dinarëve në euro nga institucionet financiare dhe këmbimoret e licencuara.
Serbia e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve.
Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Banka Popullore e Serbisë i ka dërguar prej vitesh dinarët në një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, dhe ato më pas janë transportuar nga kompania ndërkombëtare Henderson.
BQK-ja ka thënë se një praktikë e tillë është e paligjshme, pasi vetëm ajo mund të bëjë eksport dhe import të monedhave dhe kartëmonedhave brenda territorit të Kosovës.
Kushtetuta e Kosovës përcakton që duhet të ekzistojë vetëm një valutë për kryerje të pagesave me para të gatshme.
Kosova nuk është pjesë e Eurozonës – të cilën e përbëjnë 20 vende anëtare të Bashkimit Evropian – por e ka euron si valutë kryesore prej vitit 2002./REL