Bregu: Të thuash qeveria s’bën, nuk mjafton për të ardhur në pushtet, ja çfarë duhet të bëjë PD-ja

Sakte.net / e Hënë 19 Shtator / 09:43

Ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, deklaron se ajo që ndodhi me zgjedhjet në Dibër përbën një problem kombëtar dhe jo thjesht të Partisë Demokratike.

Në një intervistë për “Panorama”, kryetarja e Komisionit të Integrimit në Kuvend flet edhe për leximin që opozita duhet t’i bëjë humbjes në këto zgjedhje. Bregu thekson se nuk do të dëshironte të ishte pjesë e Parlamentit në 2017, nëse ai do të dilte nga zgjedhje të korruptuara dhe vota të blera.

Zgjedhjet në Dibër përfunduan me një disfatë tjetër të opozitës. Pavarësisht se pjesa më e madhe e Grupit Parlamentar u instalua në këtë bashki, rezultati u thellua më tepër nga ai i vitit 2015, ku e djathta humbi me rreth 500 vota diferencë. Cilat ishin shkaqet e humbjes dhe pse PD-ja nuk arriti të fitonte në një bashki, në të cilën zhvilloheshin zgjedhjet pas një skandali seksual?

Skandali seksual, meqë ju po e quani kështu, është vetëm një grimcë e fatalitetit, pështirosjes, rrezikshmërisë bollshëm prezent në realitetin politik, social e ekonomik sot në vend. Mund të ketë shprehje të ndryshueshme ditë pas dite, por për shqiptarët ky realitet është bërë një formë torture që nuk mund mos t’i japësh rëndësi. Ka shumë më tepër se kaq. Zgjedhjet në Dibër janë numra që duhet të analizohen me detaje dhe kujdes të jashtëzakonshëm për të kuptuar se çfarë është duke ndodhur në Shqipëri. Kjo është gjëja më e padurueshme pas këtyre zgjedhjeve. Kjo ironia ngazëlluese e fitimtarëve me njëfarë lehtësimi që duket se e kanë si shkas krenarie meqë fituan edhe pas atij skandali të ish-kryebashkiakut të tyre në Dibër. Këtu nuk bëhet fjalë më vetëm për blerje e shitje votash, as vetëm për shantazhime me ndihmën ekonomike dhe thasë mielli, as vetëm për policë që bashkëpunojnë me të zgjedhurit vendorë duke siguruar njerëzit se nuk do t’u preken parcelat e hashashit. E keqja e madhe është se tashmë është kthyer në një model skematik të qëndrueshëm, për të cilin po investohet në mënyrë të frikshme nga fushata në fushatë.  Është korruptuar shpresa për më mirë! Dhe ky nuk është problem i Dibrës. Është problem kombëtar. Dibra ishte vetëm një pikë në përroin e bjerrjes masive të besimit se politika mund të sjellë ndryshim pozitiv, por është e pamundur që një vend të mund të përparojë kur shpresa vdes përditë. Kur njerëzve po u vritet shpresa dhe rrezikojnë mbijetesën, idealistët zvogëlohen. Problemi është se çfarë duhet të bëjë opozita përballë këtij realiteti, si duhet të përballet ajo me humbjen e thellë në Dibër, leximi i së cilës është parathënia e së ardhmes politike të Partisë Demokratike dhe jo vetëm.

Pas shpalljes së rezultatit zyrtar, Basha doli në një konferencë për mediat ku deklaroi se zgjedhjet në Dibër i ka fituar karteli i drogës. Si arritën përfaqësuesit e shumicës të blinin vota në Dibër, kur, siç thamë, gjendej i gjithë lidershipi i PDsë dhe qindra të ngarkuar me “misionin” e ruajtjes së votës?

Që votat shiten e blihen, kjo është shfaqur me zë dhe figurë, jo vetëm në këto zgjedhje, por rëndom vitet e fundit sa herë që votohet. Madje, aq shpesh, sa ka filluar të duket si normale dhe ky është tjetër problem. Po mësohemi me të keqen. Kjo status quo pas zgjedhjeve, ku askush nuk dënohet për krim elektoral p.sh., vetëm se komprometon shpresën e të tjerëve se vota e tyre vlen. Maxhoranca mbrohet në lloj–lloj mënyrash se ajo është puna e saj, ne si opozitë duhet të kundërveprojmë se ajo është puna jonë. Pjesën se si është arritur të blihet vota, kur atje ishte prezent lidershipi i PD-së, nuk preferoj ta komentoj, por shpresoj që për rastet që PD-ja ka përcjellë në prokurori të ketë një reagim. E thashë dhe pak më lart, çështja është si të mbrohet ai që nuk ka shpresë, nga makutëria, arroganca, egoizmi i atyre që bëjnë pazar me votë sepse nuk kanë asnjë thërrime shqetësimi se dikush i dënon. Sipas meje, nuk duhet thjesht të konstatojmë rreth situatës, por krahas kanabisit të gjejmë brenda nesh arsyet e humbjes, të kanalizojmë qëndrimet tona dhe të veprojmë. Sado i parehatshëm të jetë ky qëndrim imi, është po aq i çlirët. Nuk kemi shumë kohë, por kemi shumë mundësi për të mos mbërritur në zgjedhjet e ardhshme, sikur shkojmë në një ceremoni ku vendin tonë e cakton maxhordomi i radhës. Nuk ka klimë mirëbesimi mes palëve politike në Shqipëri. Është shumë e thjeshtë dhe shumë e drejtë për mendimin tim, të shohim ç’duhet të ndryshojmë mes vetes që kjo fitorja e maxhorancës së sotme të mos jetë një vijë e pandërprerë. Unë nuk kam asfare nevojë të jem nesër në një sallë parlamenti të dalë nga zgjedhje të korruptuara. Që ne të ndryhemi në të njëjtin vëllim ajri nesër vetëm për të sharë e mallkuar njëritjetrin dhe përsëri asgjë të mos ndryshojë, e shoh më katastrofike sesa të sotmen. E kemi detyrim moral ndaj votuesve tanë, atyre që na mbështesin me zemër që prej forumeve rinore të Partisë Demokratike, që u dhimbset kjo parti për atë që ofronte në gjenezën e saj. Nuk mund të akuzojmë popullin se shitet, as nuk e ndërrojmë dot. Varfëria dhe frika janë më të fuqishëm se vetëdija politike.

A ishte Dibra një test për fuqinë reale të opozitës, në një kohë që vetë Basha u deklarua para zgjedhjeve se pikërisht nga kjo bashki do të nisë ndryshimi që do të vijojë në të gjithë vendin?

Dibra duhet të zgjidhte një kryebashkiak. As është testi i fitores as ai i humbjes. Është një alarm i përsëritur për të vrarë mendjen të gjithë se si mund të jemi garantët e ndryshimit, për të cilin ky vend është i etur. Personalisht kaq më intereson. Gjithsesi, nuk mendoj se Dibra tregon fuqinë reale të opozitës, unë mendoj se ne nuk meritojmë të jemi në këto nivele. Përveç kanabisit që ka mbuluar vendin, janë edhe këto arsye që duhen vlerësuar si rezultante e zgjedhjeve në Dibër. Të marrësh parasysh që ky rezultat vjen kur maxhoranca po qeveris kaq keq, kur biznesi i vetëm i sigurt është droga, kur avionët që e transportojnë po shtohen aq shumë sa, përtej sarkazmës, do të duhet aeroport i veçantë për ta, kur varfëria po mbyt mbarë vendin, kur krimi po lulëzon në çdo qoshe e pjacë, për të mos folur dekadencën e sistemit arsimor dhe shëndetësor, situata bëhet dramatike.

A ishin këto zgjedhje dëshmi se PD-ja vetëm me aleatët që ka, nuk mund të arrijë një rezultat fitues në zgjedhje, ndaj duhet të shohë një aleancë më të gjerë, ndoshta atë me LSI-në. Kujtoj që vetë Basha deklaroi pak ditë më parë se nëse LSI-ja plotëson kushtet për të qenë në koalicion me PD-në, edhe ajo është e ftuar të jetë pjesë e koalicionit?

Në asnjë mbledhje apo forum të PD-së deri më sot, nuk është diskutuar për koalicionet e mundshme të 2017. Unë e kam thënë mendimin tim. Qëllimi ynë kryesor është të motivojmë veten, mbështetësit tanë dhe ata që siç thoshte një i ri dje në një nga mesazhet në FB: “Dua të zgjedh krahun tim politik, e më vjen keq që shpeshherë shikoj që mbizotëron paaftësia e ndihem i turpëruar për të zgjedhur”. E para, qëndrimet e LSI-së këto muajt e verës kanë qenë tërësisht kontradiktore, edhe kur ka pasur një thirrje ftesë nga kryetari i PD-së për qeveri teknike. Unë them që PS-ja dhe LSI-ja kanë shumë arsye “të ëmbla” për të mos u ndarë nga njëra-tjetra. Kanë njëlloj ortakërie të kujdesshme dhe xhelozie për marrëdhënien e tyre, deri në përndjekje të njëra-tjetrës. Ne nuk kemi asnjë arsye pse të presim ndarjen e këtij çifti politik për t’u sjellë shqiptarëve atë që po e lypin nga ne. LSI-ja është parti në qeverisje sot, por edhe parti e pozicionuar në mes të partive të mëdha. LSI-ja e zgjedh dhe e vendos vetë nëse do të vazhdojë në koalicion me PS-në apo jo. Këtu nuk ka asgjë anormale politike. Unë nuk gjykoj strategjinë politike të LSI-së, por në mendimin tim, i vetmi koalicion i ndershëm i PD-së në 2017 është ai me qytetarët. Ky tjetri është si të përkëdhelesh veten në një ndjesi konfuze që i ngjan fitores, por fitore për demokratët nuk sjell.

Pse tani kjo iniciativë për të komunikuar me opozitarët në rrjetet sociale? Çfarë kërkoni të arrini përmes këtij komunikimi dhe çfarë ndryshoi që nuk bënit të njëjtën gjë deri më sot?

Unë nuk di të jem ndryshe nga ç’jam. Vetes nuk i fshihem dhe sot më duket se nuk e kam këtë luks, edhe po ta doja. Partia Demokratike është Partia në të cilën jam aktivisht prej 11 vitesh, si dhe Basha e kolegë të tjerë. Nëse do të isha indiferente me atë që ndodh në PD, kjo do të ishte pacipëri. Me çmimin e respektit ndaj vetes, nuk kam nevojë as për ojna, as për marifete, as për hipokrizi dhe as për mëdyshje për të thënë ato që mendoj se duhen bërë që PD-ja të mos zvetënitet. Po përpiqem që kjo parti ku jam të jetë forca politike, që nuk ka nevojë për perde për të fshehur të vërtetat. As i ikën përballjes me to. Jam e bindur që fitorja nuk dhurohet dhe ne nuk fitojmë vetëm duke u ofruar shqiptarëve një keqardhje therëse për fatin e keq që qeverisen nga kjo qeveri. Që të thuash që kjo qeveri nuk bën dhe duhet të ikë, nuk mjafton për të ardhur në pushtet. Nëse ne do të qëndrojmë të patrandur ndaj qeverisë e po aq të patrandur ndaj asaj që kërkojnë demokratët nga partia e tyre, nuk kemi fituar asgjë. Nuk besoj se kontributi im apo i demokratëve që kanë qenë, janë dhe do të jenë pjesë e strukturave të PD-së matet me aftësinë për t’i thurur lavde njëri-tjetrit. Nëse duam që nesër shqiptarët të na votojnë, duhet t’i bindim se ne jemi ndryshe. Çdo gjë tjetër tej këtyre që thashë, është abuzim.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme