Agjencia Europiane për Zhvillim të Demokracisë Lokale (ALDA) me seli në Bruksel, pas takimit të rregullt, në të cilin ka marrë pjesë edhe Lutfi Haziri, anëtar i bordit të kësaj agjencie, njëherit edhe kryetar i Gjilanit, i ka bërë thirrje lidershipit kosovar që të përmbushin obligimet e BE-së për Gjykatën Speciale e demarkacionin.
Përmes kumtesës zyrtare, ALDA thotë se lidershi kosovar duhet ta mbaj Kosovën lartë në agjendën europiane.
“Agjencitë Lokale për Zhvillim (LDA) dhe ALDA, po i ndjekin me veëmendje zhvillimet e fundit në Kosovë.
Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve që të mbajnë qetësinë në këtë kohë sensitive derisa hetimet janë në vazhdim nga të gjitha autoritetet relevante të ligjit në Kosovë, dhe të ripërtërijnë angazhimin për punë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe përmirësimit të standardit të jetesës për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ne i bëjmë thirrje të gjithë liderëve politikë në Kosovë të vazhdojnë dialogun konstruktiv për implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani përmes dialogut, të cilat i kontribuojnë avancimit të normalizimit të marrëdhënieve dhe perspektivës europiane të këtyre vendeve, thuhet në komunikatën e komunës së Gjilanit.
Lidershi kosovar duhet ta mbaj Kosovën lartë në agjendën europiane dhe të përmbushë obligimet ndaj BE-së në lidhje me themelimin e Dhomave te Specializuara dhe me Demarkimin e Kufirit me Malin e Zi.
LDA dhe ALDA do të vazhdojnë të punojnë bashkërisht për të përkrahur në mënyrë aktive vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit në BE, duke iu ofruar atyre njohurinë dhe përvojen tonë”./Lajmi.net/