Bullgaria vazhdon të jetë e ashpër ndaj Shkupit për incidentin e dy ditëve më parë, ku dy vetura të ambasadës bullgare u djegën me lëndë djegëse nga një person që tashmë është kapur nga autoritetet. Për këtë reaguan edhe deputetët në parlamentin bullgar në një qëndrim unanim të pushtetit dhe opozitës. Grupet parlamentare e përcaktuan sulmin si një sulm të papranueshëm ndaj shtetit bullgar, misioneve diplomatike dhe vlerave evropiane, duke këmbëngulur që autoritetet në Republikën e Maqedonisë së Veriut të kryejnë një hetim të shpejtë dhe efikas dhe të garantojnë sigurinë e përfaqësuesve bullgarë dhe komunitetit bullgar në vend.
Ndërkohë shoqata me qendër në Bullgari “Maqedonia” ka njoftuar bllokim simbolik të pikave kufitare në Deve Bair, në Novo Sellë dhe në Dellçevës, më 22 qershor në shenjë proteste për djegien e veturave dhe për shkak të retorikës antibullgare në Maqedoninë e Veriut. Organizatorët pretendojnë se kanë njoftuar institucionet bullgare për protestën dhe se ajo do të zgjasë rreth dy orë.
Kryeministri Hristijan Mickoski nuk konfirmon nëse autoritetet në vend janë njoftuar për bllokimin e pikave kufitare. Megjithatë, ai shton se institucionet vendase kanë dënuar dhe janë duke zbardhur rastin.
“Atë që e bëmë si qeveri, menjëherë e siguruam personin që është autori i kësaj vepre kriminale, vazhdon marrja në pyetje dhe i janë marrë pajisjet e komunikimit. Ta shohim ndoshta ka pasur komunikim gjatë periudhe, me kë dhe për çfarë ka komunikuar. Unë nuk do të shpejtoja për çfarëdo kualifikimesh nga ana e fqinjit tonë por ajo që dua të them është se fuqishëm e dënojmë si qeveri dhe në kuadër të kompetencave tonë si qeveri do të veprojmë”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Prokuroria njoftoi se ka filluar procedurë kundër një 44-vjeçari banor të Shkupit, i cili dyshohet se ka kryer vepër penale – Shkaktim rreziku të përgjithshëm sipas nenit 288 të Kodit Penal. Në ditën kritike, ai doli nga shtëpia, hipi në autobus dhe erdhi në Qendër, dhe nga pompa e benzinës pranë Ambasadës Bullgare, mbushi një shishe plastike me benzinë.
Pastaj kaloi rrugën dhe iu afrua dy automjeteve diplomatike të parkuara në pronësi të Ambasadës, të cilat i spërkati me benzinë dhe u vuri flakën me një çakmak. Menjëherë pas shkaktimit të zjarrit, ai u largua nga vendi i ngjarjes.
The post Bullgaria e ashpër ndaj Shkupit pas incidentit ku i djegën veturat e ambasadës, do të bllokohen kufijtë appeared first on Alsat.



