Nga Bashkim Trenova
Publikohen kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
“Armiqtë e popullit”
Takimi i Valer Dyrzit me torturuesin dhe dëshmitarin e tij në Tiranë!
Pas 10 vitesh burg, Valer Dyrzit i’u desh të përballet me një realitet mohues dhe me papunësinë. Kur në verën e vitit 1990, mijëra shqiptarë nga i gjithë vendi shpërthyen dyert e ambasadave të Perëndimit në Tiranë, duke rrezikuar gjithçka vetëm që të largoheshin nga Shqipëria, Valeri ishte ndër të parët që u fut në ambasadën italiane. Ai shkoi në Itali ku jeton edhe sot, duke ju kushtuar artit, ëndrrës së tij të vetme në jetë. Në vjeshtën e vitit 2010 ai u rikthye në Tiranë ku hapi një ekspozitë pikture në Galerinë Kombëtare të Arteve. Takoi shokë e miq, por edhe njerëz që nuk do të kishte dashur t’i ndeshte, që e kthenin pas në kohë, një nga torturuesit e tij dhe një ish dëshmitar, që i’u afruan dhe e përshëndetën. U shokua, por nuk ndjeu asnjë lloj urrejtjeje ndaj tyre. Ai e dinte se ata ishin vetëm instrumente të verbër të diktaturës, ndërsa ishte vetë sistemi, vetë diktatori Enver Hoxha, që siç është shprehur Valeri, “vrau popullin e vet, e veshi me uniformën që i veshi Hitleri popullit hebre.”
Pas rrëzimit të komunizmit edhe Inga Tarasova, së bashku me Seitin dhe Djanën u larguan nga Shqipëria. Ata jetojnë në Moskë. E kam takuar Inën në vitet e para pas vendosjes së demokracisë, ashtu rastësisht, në bulevardin kryesor të Tiranës. Kishte ardhur të interesohej për pensionin e saj. Ishte njëlloj si dikur, e qetë, me peshën e viteve mbi supe dhe disa thinja, që i’a shtonin hirin e dikurshëm, me një të qeshur që duket sikur ende nuk guxon ose që është plagosur rëndë, tepër rëndë.
Takimi im në Tiranë me Jankën, përkthyesen e bullgarishtes!
Pas disa vitesh, në shtatorin e vitit 2010, u takova në Tiranë me Janka Selimin, ish përkthyesen e emisionit të bullgarishtes në Radion e Jashtme. Kujtuam shumë miq, shokë dhe vite, kujtuam sigurisht edhe Inën. Janka më tha se i kishte bërë një vizitë në Moskë, Ina Tarasovës, e cila, siç më tha ajo, është mjaft mirë me shëndet dhe merrej me pasionin e saj të vjetër, pikturën, kishte hapur edhe ekspozita të punimeve të saj në Moskë. Janka më tregoi se edhe gjatë viteve të burgut, Inga Tarasova kishte pikturuar, njëlloj si Valeri, se ajo me fije leshi të nxjerra nga trikot e grave të burgosura, kishte riprodhuar një tablo të një piktori të madh rus, Ajvazovski, më duket.
Për këtë pasion të Tarasovës më ka shkruajtur edhe shoku im, Berti. Në një e-mail që më ka dërguar këto muajt e fundit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai më shkruan: “Në shtëpinë ku rrimë, kemi një pikturë të një autori të panjohur, por me siguri si vepër është e njohur, sepse është diçka si biblike, një det i trazuar dhe disa njerëz mbi një tra më shumë se mbi një varkë, të cilët po i merr vala ose valët, sepse janë shumë të mëdha, shumë. Kjo është pikturë, që e ka mbajtur prej afro 30 e kusur vjetësh Sajmiri, burri i vajzës sime, Junës. Edhe kur erdhën këndej, në SHBA, pikturën e morën me vete. Sajmiri dhe Juna kanë qenë komshinj, desha të them derë më derë me Tarasovën, e cila e paska hobi pikturën me bojra vaji, në përmasa të mëdha”.
Unë mendoj se piktura është një riprodhim i tablosë tepër të njohur të Ajvazovskit, “Devjatij Vall” – “Dallga e nëntë”. Është interesant të mendosh se Tarasova, është marrë e rimarrë me këtë tablo, që paraqet fatin e trazuar të njeriut, dallgët e jetës, që e përplasin atë nuk dihet se ku, në ç’humnerë, në ç’greminë, përpjekjet për të mbijetuar. Tabloja është vetë jeta e Tarasovës dhe e familjes së saj, prandaj, siç duket, ajo është dashuruar tragjikisht pas saj.
Aleksandra Shestova, pedagogia ime, që nuk e braktisi burrin e saj!
Kam dëgjuar në rininë time shpesh një këngë të famshme ruse, e cila ka këtë varg shumë të bukur: “Të dua jetë e shpresoj që edhe ti më don mua”. Ina Tarasova e donte jetën dhe jeta nuk kishte pse mos ta donte atë. Ishin varrmihësit e saj, ata që ia bënë jetën varr edhe Ina Tarasovës, si edhe mijëra e miliona shqiptarëve. Do të përmendja këtu, shkarazi, edhe kolegen e Tarasovës në Fakultetin e Histori-Filologjisë, pedagogen time të dashur të rusishtes, Aleksandra Shestova. Edhe atë e larguan nga Tirana dhe e dërguan dikund në Veri, në mos gaboj, në qytetin provincial të Lezhës. Aleksandra Shestova u dashurua dhe i kushtoi jetën Qamil Çacit, ndërkohë që ai ishte student i universitetit “Lomonosov”. Me të u njoh në Fakultetin Juridik ku studionte për të Drejtë Ndërkombëtare. Shqiptari ulej pranë saj, sa herë që shkonin për të studiuar në bibliotekë…Edhe Shestova nuk e braktisi burrin e saj, mbrojti familjen ashtu, me atë qetësinë e saj olimpike, një qetësi perëndie, që nuk lejon të trazohen jetë njerëzore.
Miqësia jonë e sinqertë me Jankën dhe Skander Selimin
Janka Selimi ishte edhe ajo nga ato gra, që si Tamara Gaci, Ina Tarasova apo Shestova, nuk u largua nga Shqipëria. Ajo erdhi në Shqipëri pasi u dashurua në Bashkimin Sovjetik me Skënder Selimin, student shqiptar. Edhe Janka, bullgare nga origjina, vazhdonte studimet në këtë vend.
Unë e kam njohur Skënder Selimin kur ende ishte në fillimet e lavdisë së tij. Ne në Radion e Jashtme, me raste festash, organizonim herë pas here edhe ndonjë mbrëmje vallëzimi. Në një nga këto mbrëmje, në studion e madhe ku orkestra simfonike e Radio-Tiranës bënte provat e përditshme si edhe regjistrimet e saj, vajta të ftoj për vallëzim Jankën, që punonte në atë kohë si përkthyese e emisionit të bullgarishtes. Meqë në mbrëmje kishte ardhur edhe Skënderi, “rregulli” e kërkonte që unë t’i merrja leje atij për këtë vallëzim. Kështu edhe bëra. Skënderi qeshi dhe, pasi më mati nga kreu tek këmbët, nuk u shpreh as për “po” dhe as për “jo”. Pata përshtypjen sikur kështu desh të më injoronte. Po kështu pata përshtypjen se ai vetë e kuptoi që sjellja e tij nuk ishte një sjellje prej “kavalieri”, prandaj edhe tha, gjithnjë duke qeshur: “Pyete atë vete, Jankën, përse më pyet mua?” Janka e bukur si një muzg mbrëmje, e urtë, e sjellshme, i hodhi një shikim Skënderit, sikur donte dhe nuk donte lejen e tij. Ajo u ngrit dhe mbështeti krahun e saj në supin tim. Vallëzuam së bashku duke kaluar herë pas here pranë tavolinës ku qëndronte Skënderi, duke qeshur ne me të dhe ai me ne. Ndoshta ishte paksa xheloz në atë mbrëmje?! Nuk kam asnjë arsye të kërkoj xhelozinë në jetën e përbashkët të Skënderit dhe Jankës. Më tepër do të besoja, se ai e dashuronte aq shumë atë saqë, nuk donte ta “humbiste” as edhe për një çast, për një vallëzim. Janka e meritonte një dashuri të tillë. Tek ajo mund të shihje modelin e gruas, një portret delikat si i gdhendur në mermer. Cilësitë dhe përsosmëria nuk i mungonin.
Unë dhe shokët e mi të redaksisë, kishim vënë re se edhe shefi ynë, Hasan Pinci, një personazh pa pikë kripe, si i shpëlarë qoftë fizikisht ashtu edhe intelektualisht apo shpirtërisht, nuk ishte i pandjeshëm ndaj hirit të Jankës. Kur i’a kam thënë këtë gjë vetë Jankës, pas mëse 40 vitesh, qeshi dhe i’u duk e pabesueshme. Asaj as që i kishte shkuar ndër mend se prania e saj në redaksi, na paskësh turbulluar disi shefin tonë! Neve, gazetarëve të Redaksisë së Lindjes, të gjithë të rinj, me përjashtim të Dimitër Jojiçit,(edhe ai i ri në zemër e në shpirt), nuk na kalonte pa komente dhe pa rromuze sjellja qesharake e Hasan Pincit. Ne e shihnim si i dridheshin gjymtyrët atij në prani të saj. Sa e sa herë, kemi “spekuluar” duke krijuar, duke sajuar një pretekst, që Janka të vinte në Redaksi, thjesht për të parë shefin tonë, në një pozitë mëse qesharake, për t’u tallur më pas me të. Janka kurrë nuk i mori vesh “kurthet” tona, ajo nuk ishte bashkë komplotuese. Ne kurrë nuk i treguam, sepse kishim frikë se ajo do t’i jepte fund këtyre lloj shakarave, që na argëtonin mjaft. Nuk i treguam edhe sepse kishim respekt të plotë për Jankën dhe kurrësesi nuk do të donim ta lëndonim edhe pse pa dashje. Të tjerë nuk do të shqetësoheshin t’i jepnin asaj dhe Skënderit, goditjen më të fuqishme në jetë.
Jankës, i’u kërkua të dëshmonte për “veprimtarinë armiqësore” të Ina Tarasovës!
Pas arrestimit të Ina Tarasovës, ndërsa hetuesia kërkonte “prova” për ta dënuar, u thërrit për këtë qëllim në Hetuesi edhe Janka Selimi. Asaj, sikurse më ka treguar vetë Janka, i’u kërkua të dëshmonte për “veprimtarinë armiqësore” të Ina Tarasovës. Për Hetuesinë, “dëshmitë” e Jankës, do të ishin me mjaft vlerë duke qenë se Tarasova ishte kolege e saj në punë, fqinjë e saj, mike e saj dhe të dyja të huaja, me origjinë joshqiptare. Jankën e ulën në zyrat e Hetuesisë në një karrige të paluajtshme. Përballë saj hetuesi dhe tavolina e tij. Njëlloj si në filmat me Gestapo. Pyetjet ishin nga më absurdet, si: “a ka marrë pjesë Ina Tarasova në format e edukimit politik dhe a ka diskutuar ajo në këto forma”?, “a ka thënë Ina Tarasova se e ndjen veten si një piano të vetmuar në një fushë të harruar”?, “a keni biseduar bashkë për politikë”?, “cilat ishin bisedat tuaja si mike që jeni”? etj. të kësaj natyre, që tregojnë se, në fund të fundit, për Inën nuk kishte prova, por kërkohej të sajoheshin prova. Ndoshta Janka dhe Ina, si mike që ishin edhe mund të kenë bërë ndonjë bisedë që regjimi mund ta cilësonte si “armiqësore”, ndaj tij, por edhe në këtë rast, ajo nuk mund të pohonte një gjë të tillë, sepse do të ishte në të njëjtën pozitë me Inën, si “armike” dhe, për më tepër, do të tregohej edhe pa karakter, një mike e pabesë. Janka nuk ishte e tillë dhe nuk ra në pritën e pyetjeve të Hetuesisë. Për këtë asaj dhe Skënderit iu desh të paguanin mjaft shtrenjtë.
Jankën e larguan nga puna si përkthyese e emisionit të bullgarishtes në Radion e Jashtme. Regjimi parapëlqente t’i ndante çiftet “armike”, të mos i lejonte të shijonin së bashku jo më gëzimin e jetës, por as edhe kupën e hidhërimit të saj, as helmin që ai vetë kishte përgatitur dhe hedhur në këtë kupë. Skënderin e çuan në Bajzë të Malësisë së Madhe, në pikat më të largëta dhe më të larta të vendit. Atij do t’i duhej të ecte diku me këmbë e diku me mushka, diku me ndonjë makinë të rastit, për të organizuar aktivitete kulturore, për të patur kështu një pagë të varfër, sa për të ushqyer familjen, për të mbijetuar. “Gjëja më e mirë ishte që gruaja nuk më braktisi’, do të thotë Skënderi në një intervistë që ka dhënë shumë vite më pas në shtypin shqiptar, ‘shumë gra ikën, ndërsa ime shoqe jo, qëndroi krah meje dhe këtë nuk e harroj përjetë…”
Gëzimet, në fakt, Janka edhe deri tani nuk i kishte patur të shumta. Gjatë tërë atyre viteve që punoi në Radio, sa herë hynte në studio për të regjistruar emisionin e bullgarishtes, Janka do të fillonte me fjalët: “po transmetojmë”, të cilat në bullgarisht ishin fare pranë fjalëve “po tradhtojmë”. Sa herë ajo gëlltiste lotët, duke menduar se po tradhtonte vendin e saj të origjinës, duke folur në Radio Tirana. Vetë Janka më ka treguar se, nëse në Shqipëri ishte në shënjestër si agjente e Shërbimit Sekret Bullgar, në Bullgari ishte në shënjestër si agjente e Shërbimit Sekret Shqiptar. Ajo, pa dashje, ishte kështu në shënjestër si një ‘Mata Harri’ në gjirin e familjes paranojake komuniste!
Vështirësitë vazhduan për Jankën edhe pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri!
Vështirësitë vazhduan për Jankën edhe pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri. Gjatë kohës që isha në detyrën e ambasadorit pranë Mbretërisë së Belgjikës dhe Dukatit të Luksemburgut, në një mbledhje të Këshillit Parlamentar të NATO-s në Luksemburg, kam takuar një deputet bullgar, Anatoli Velishkov, quhej. E pyeta për Janka Selimin, nëse e njihte. Kisha dëshirë të mësoja diçka rreth fatit të saj. Mua më kishin thënë, se ajo ishte larguar nga Shqipëria. Rastisi që Velishkov e njihte Jankën dhe më tha se ajo merrej me tregti midis Bullgarisë dhe Shqipërisë. U çudita se si Janka me shpirt poeti, po merrej me këtë lloj aktiviteti, jo pa rreziqe në rrugët e pasigurta të Ballkanit dhe në tregjet e tij të pa konsoliduara, sidomos në Shqipëri, ku as kishte dhe as respektohej ndonjë rregull, ku njihej vetëm termi “ekonomi tregu” dhe asgjë nga vlerat apo dobësitë e tij reale, nga joshjet dhe kurthet e tij, nga egërsia dhe pabesia e tij.
Shumë shqiptarë vrapuan të merren me tregti në atë kohë. Në Tiranë, pothuajse në çdo derë shtëpie hasje në ndonjë tezgë ku tregtohej diçka; banane, coka cola, cigare, enë e veshje të vjetra, karrige e tavolina. Dukej sikur gjithçka ishte objekt shitjeje. Vendi ishte në rrënim të plotë. Shqiptarëve u duhej të kapeshim me thonj e me dhëmbë pas diçkaje që u siguronte ekzistencën. Me siguri, në këtë asfiksi të përgjithshme kombëtare, edhe Janka duhet të ketë vendosur të merret me tregti.
Me Jankën u takuam sërish pas shumë e shumë vitesh. Unë, nëpërmjet shokut tim Selim Hoxha, që ka ngritur në Tiranë një bar të quajtur “Sofia” dhe që bën pjesë në Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Bullgari, u njoha me numrin e telefonit të saj. I telefonova dhe e lamë të pimë një kafe së bashku po atë ditë. Janka banonte në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, në fillimin e rrugës. Aty u takuam dhe shkuam në një kafe pranë shtëpisë së saj. Biseduam gjatë e gjerë, kujtuam të gjithë shokët tanë, përkthyesit dhe përkthyeset e redaksisë, një pjesë e të cilëve ishin larguar nga Shqipëria, ndonjë edhe kishte ndëruar jetë. Ajo ishte plot energji dhe projekte, pleqëria i ishte afruar, por nuk kishte guxuar ta prekte.
Janka Selimi ndihmoi regjisoren bullgare, Afdele Peeva, për filmin dokumentar, “Divorc shqiptar”, (Razvosd po Allbanski)
Janka, si edhe Tamara, shkruante poezi. Ne, kur punonim së bashku në Radio, e dinim se ajo përkthente poezinë shqipe në bullgarisht. Tani ajo merrej me përkthimin e letërsisë ballkanike në shqip, është angazhuar në projektin TRADUKI, një program mbështetës i përkthimit të letërsive të vendeve ballkanike. “Jemi kaq afër dhe nuk njohim njeri-tjetrin”, më tha Janka, ndërsa njohim mirë letërsinë gjermane, franceze, ruse, angleze etj. Kështu, muaji korrik i vitit 2010, solli në shqip veprën e autorit kroat, Renato Baretiç – “Hotel Grand”, përkthyer nga Janka Selimi. Në tetor të këtij viti, ajo i ofroi lexuesit bullgar të përkthyer romanin “Gjarpri i shtëpisë”, i autorit shqiptar Arian Leka. Lexuesit shqiptar ajo i ka dhënë të përkthyer romanin “Roman Natyral” të autorit bashkëkohor bullgar, Georgi Gospodinov. Janka ka përkthyer gjithashtu “Tespijet prej floriri”, të autorit malazez, Jovan Nikolaidis.
Që nga viti 2007 qarkullon nëpër salla të mbyllura festivalesh në Europë, filmi dokumentar “Divorc shqiptar” (Razvosd po Allbanski) i regjisores së mirënjohur bullgare Adela Peeva. Filmi trajton fatin tragjik të tri çifteve, tri martesave të përziera të grave të huaja me burra shqiptarë. Janka Selimi ka ndihmuar në realizimin e tij, duke shfletuar së bashku me bashkatdhetaren e saj, dokumente nëpër arshivat shqiptare. Po kështu, ajo ka ndihmuar një tjetër bashkatdhetare të saj, zonjën Marina Marinova, së cilës i është akorduar “Medalia e Mirënjohjes”, për kontributin që ka dhënë në njohjen e letërsisë shqiptare në Bullgari. Afro një gjysëm shekulli nga jeta e saj Marinova ia ka kushtuar letërsisë shqipe. Vetë Marinova, duke folur për letërsinë shqiptare thotë: “Jo, nuk kisha mundësi të njihja as autorët e saj. Shumë vonë një shoqe ime e ngushtë, më dërgoi një fotokopje me fragmente nga poezia e Gjergj Fishtës. Ajo shoqe ishte Janka Selimi. Me të konsultohesha dhe bisedonim mjaft për librat”.
Kultura është ajo që vendosë ura midis popujve të Ballkanit. Janka Selimi jep ndihmesën e saj në ngritjen e këtyre urave. Sikur të ishin kështu agjentët e shërbimeve sekrete të huaja në Shqipëri, sikur të vinin një gur në këmbët e këtyre urave të gjithë politikanët e Ballkanit dhe të tjerë, që ende vazhdojnë tu fryjnë erërave të një shovinizmi të egër dhe të përçarjes!
Largimi nga puna i përkthyesve të tjera të huaja në Radio-Tirana!
Përkthyes të tjerë do të goditeshin tepër rëndë, pa asnjë faj, pa pëshpëritur qoftë edhe një fjalë që mund të interpretohej si «agjitacion e propagandë», kundër diktaturës dhe njerëzve të saj. Njëra pas tjetrës u larguan nga puna si përkthyese: Erika Përmeti, Janina Oroni, Joana Çina, Irena Kubati, Jarmilla Zotëria, Vjesha Hidri, Maria Roku, Donka Oktrova, Magda Çani e të tjera.
Erika ishte përkthyese e gjermanishtes, një grua me energji të pashtershme, tepër korrekte në punë dhe me njohuri perfekte të gjuhës, që në mos gaboj, e kishte gjuhën e nënës. Ajo ishte «e prekur» në biografi. Nuk e di «diagnozën» e saktë, ndoshta sepse nëna e saj kishte qenë austriake apo se i shoqi i saj kishte qenë i burgosur dhe me një origjinë nga një familje feudale!? Kështu edhe flitej në Radio nën zë. Me zë të plotë, Hysen Pojani na udhëzonte ne të rinjve që, nëse Erika do të shfaqte ndonjë pakënaqësi, dhe kjo ndodhte nëse ne do t’i kërkonim asaj të hidhte në kosh disa faqe të përkthyera, për t’i zëvendësuar me të tjera, që duheshin përkthyer, ne në këtë rast, duhet t’i kujtonim asaj kazmën. Sikurse theksonte Hyseni, Erika e dinte mirë se çdo të thotë të punosh me kazmë, sepse e kishte provuar këtë lloj pune! Në të vërtetë Erika kërkonte vetëm një gjë, të trajtohej si njeri, të tregohej respekt për punën e saj.
Ajo kishte edhe dy apo tre gurë të vegjël, që i vendoste mbi fletët që kishte për të përkthyer, që ato të mos fluturonin nga era nëse do të hapej dritarja e zyrës ku punonte. Hysen Pojani na kishte porositur që edhe të bënim kujdes sepse, sipas tij, Erika kishte qenë e sëmurë mendore dikur dhe se këto gurë, mund të fluturonin mbi kokat tona, nëse ajo do të nxehej. Kurrë nuk u krijuan marrëdhënie të tilla midis Erikës dhe ne redaktorëve. Tellallët e thashë e themeve si Hysen Pojani, donin ta denigronin atë sepse, ajo kishte një personalitet të fortë, sepse ajo nuk lejonte të luhej me dinjitetin e saj dhe sepse ajo t’i bënte të qartë kufijtë e tolerancës, apo të mos tolerancës.
Vite e vite më pas, kur punoja në Ambasadën e Shqipërisë në Bruksel, bie një ditë zilja e telefonit dhe nga ana tjetër një zë gruaje më përshëndet dhe më thotë se, ishte Erika Përmeti. Ajo, sikurse më tha, jetonte në Austri. Dukej që më në fund, në pleqërinë e saj, ishte e lumtur dhe këtë lumturi donte t’ia shfaqte edhe të njohurve të saj të vjetër. Nuk kishte asnjë kërkesë, asnjë porosi.
Përkthyeset e tjera që u larguan nga Radio, ishin të gjitha gra me origjinë jo shqiptare, të martuara me burra shqiptarë. Janina Oroni, të cilën unë, në «rivalitet» me Robert Shvarcin, e kisha deklaruar si të «dashurën» time, sa kohë punoja në Radio, u largua nga Tirana dhe u dërgua në Berat. Ajo ishte kokëshkretë, shpesh rebele dhe, ndonjëherë dukej edhe kapriçioze. Kështu mund të ishte karakteri i saj. Ndoshta kjo mënyrë sjellje e saj shpjegohet edhe me lidhjet fisnore të të shoqit, Oronit, një mjek i njohur i syve. Ai ishte kushëri me Spiro Kolekën, anëtar i Byrosë Politike. Kjo gjë, ndoshta, i jepte njëlloj sigurie Janinës.
Nga “dashuria” ime me Janinën ose, siç i thërrisja me përkëdheli “Jankën”, ruaj ende një letër që ajo dhe Robert Shvarci, më kanë dërguar si përgjigje e një letre që u dërgoja unë më parë në dimrin e vitit 1970, nga Uznova e Beratit. Në letër, midis të tjerave, thuhet: «I dashur Bashkim. Ne kolektivi i dhomës 11, e morëm letrën tënde, drejtuar koleges sonë “Janina ose Janka”. Kjo letër e maskuar aq bukur, na u duk fort e dyshimtë, e prandaj vendosëm që ta marrim në mbrojtje shoqen tonë, për ta shpëtuar nga kthetrat e tua grabitqare, me kilometra të gjata. Habitemi se si nuk t’u rrika rehat atje në Berat»?!
Më poshtë në letër bëhet fjalë për një epidemi gripi që i ka zënë përkthyesit e dhomës numër 11 si pasojë e së cilës u hoq nga defteri fjala “dashuri” dhe çdo burrë, që fut qoftë edhe majën e hundës në derë, pritet me vezë të prishura dhe me domate të kalbura. I vetmi burrë, që arriti të penetrojë kohët e fundit deri tek ne, je ti, dhe kjo duhet të të mbushë me krenari të ligjshme…I dashur Bashkim, megjithëse të falenderojmë për letrën tënde dhe të besojmë se s’ke gjetur kartolinë atje ku je, prapëseprapë të këshillojmë të heqësh dorë një herë e mirë nga “J. ose J’- se e ke kot. Të fala të përzemërta! Janina ose Janka. Roberti’. Për të njëjtën gjë më shkruante atëherë edhe Enver Muça. “Sot në mëngjes’, shkruan Enveri më 7 shkurt 1970, ‘Jasha dhe Vjesha më treguan në Bufe për letrën që i ke dërguar Jankës dhe më thanë gjithashtu, për përgjigjen që të kanë dërguar me stilin e Robert Shvarcit”.
Janinën e dashur nuk e ndihmuan dot as “dashuria” e Robert Shvarcit dhe e imja dhe as lidhja fisnore e të shoqit me Spiro Kolekën. Ajo do të ndiqte fatin e të gjitha grave polake dhe, përgjithësisht të grave të huaja të martuara me burra shqiptarë. Një tjetër polake, Joana Çina, grua me humor të pashembullt edhe pse me njëmijë e një sëmundje, u dërgua si edukatore në shkollën e fëmijëve me të meta mendore dhe të shurdhë-memecëve. Joana edhe e lëshonte ndonjë fjalë si pa të keq. Tek shurdhë-memecët e çuan si për t’i treguar se duhet të mbyllë gojën dhe veshët njëkohësisht, ndryshe, diagnozave të shumta të saja mund t’i shtohej edhe ajo e të sëmurit mendor! Marien, çeken e urtë e të qeshur, e dërguan në Krujë, së bashku me të shoqin, Çeskun, një nga mjekët më në zë dhe drejtor i spitaleve të Shqipërisë. Atje ishin si në internim. Çeskun e përjashtuan edhe nga Partia, gjë kjo që në atë kohë shihej si një parathënie e qartë e një ndëshkimi më të rëndë në vazhdim. Pas rrëzimit të komunizmit Maria jetoi në Durrës, ku u vendos edhe vajza e saj pas martesës. Çesku nuk jeton më. Memorie.al