Është caktuar gjykatësja e cila do të ndajë drejtësinë për rastin e 4-vjeçarit nga Kumanova Almir Aliu. Sipas burimeve të Alsat M, gjykatës i kësaj lënde do të jetë Maja Denkovska e cila në Gjykatën Themelore të Kumanovës punon që nga viti 1997. Denkovska ndërkaq është e njohur edhe si gjykatëse e cila posedon lëndën e vrasjes së Xhemail Rexhepit i njohur si Komandant Shqiponja.
Nga Gjykata Themelore e Kumanovës, nuk njoftojnë se kur do të mbahet seanca e parë. Siç mëson Alsat M, në seancë bashkë me të akuzuarin për vrasje Boban Iliç, do të jenë edhe të akuzuarit e tjerë për dhunë, në mesin e të cilëve është edhe babi i Almirit, Sedat Aliu.
Më 25 qershor 2016, pas një zënke për motive banale mes Sedat Aliut dhe të akuzuarit Boban Iliç, ky i fundit e shkeli me veturë familjen Aliu ku si pasojë humbi jetën 4-vjeçari Almir Aliu.