
Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Rreth çdo i pesti i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka abuzuar me pushimet mjekësore. Kontrolli i Fondit të Sigurimit Shëndetësor zbuloi parregullsi në 80 persona me gjithsej 514 raste pushimi mjekësor. Në këto raste janë evidentuar shkelje nga 27 mjekë amë, 3 specialistë dhe 2 komisione mjekësore, të cilët kanë lëshuar pushime në mënyrë të parregullt. Diagnostikimet më të shpeshta lidhen me sëmundjet respiratore, probleme të sistemit muskulor dhe çrregullime digjestive.
“Rreth 100 pushime mjekësore nga gjithsej 514 janë në mënyrë të parregullt kjo është rreth 19-20 për qind nga numri i përgjithshëm i kontrolleve të kryera në pushimet mjekësore.. Janë kontrolluar 105 mjekë amë, ku pjesa më e madhe e keqpërdorimeve është tek mjekët amë, disa janë stomatolog dhe gjinekolog”, deklaroi Sasho Klekovski, drejtor i Fondit Shëndetësor.
Përveç MPB-së, keqpërdorime ka edhe në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Doganë. Klekovski gjithashtu theksoi se është evidentuar rasti i një polici që brenda një viti e gjysmë e ka ndërruar katër herë mjekun amë.
“Ka 10 raste ku janë ndërruar mjekët amë që tregon rrezik për keqpërdorim pasi kur shfrytëzon një mjek amë, abuzimi vazhdon me një mjek amë të ri që është i gatshëm ti pranojë kërkesat për pushim mjekësor” , theksoi : Sasho Klekovski, drejtor i Fondit Shëndetësor.
Klekovski nënvizoi se vendit i mungon një sistem i integruar për pushimet mjekësore, përkatësisht nuk ka të dhëna të sakta se sa pushime mjekësore ka në vend. Ndërkaq, për keqpërdorimet e konstatuara, Fondi ka nisur procedurë për gjobitjen e institucioneve shëndetësore në vlerë prej 1.2 milionë denarë. Klekovski u shpreh se në të ardhmen do të forcohen mekanizmat për kontrollin e pushimeve mjekësore, ndërsa nuk la pa potencuar edhe kontrollet nëpër institucione për parë nëse përputhen të dhënat, përkatësisht kontrollin e krerëve të institucioneve që kanë dhënë pëlqime për pushimet mjekësore pa verifikuar dokumentacionin në mënyrë ligjore. /Alsat.mk.



