Çdo vit, Kosovës i ikin 10 deri 12 mijë persona

Në Kosovë mesatarisht çdo vit vendin e kanë lëshuar 10 deri në 12 mijë persona. Ky trend ka shkuar duke u rritur viteve të fundit. Ligjëruesja në Fakultetin e Shkencave Natyrore në Universitetin e Prishtinës, demografia Mimoza Dushi, në një intervistë për Radio Kosovën procesin e migrimit e sheh si trend global. Ajo thotë se është pozitive që Evropa po e njeh dhe pranon profesionalizmin e kosovarëve, por edhe Kosova duhet të hapet dhe pranojë edhe profesionalistë nga vendet e Lindjes së Mesme.

Radio Kosova: Zonja Dushi, Kosova në vazhdimësi ka pasur një popullatë e cila për shkak të kushteve ekonomike e zhvillimeve politike e sociale ka imigruar.
 Mimoza Dushi: Arsyet e migrimit ndryshojnë varësisht nga rrethanat kohore në të cilat jetojmë. Prandaj varësisht nga konteksti kohor, migrimet e shqiptarëve të Kosovës në drejtim të vendeve evropiane kanë filluar në fillim të viteve’60-ta. Fillimisht kanë qenë për arsye ekonomike, pastaj në vitet e 80-ta  për arsye  familjare, në vitet e 90-ta kanë qenë arsye politike, prapë pas përfundimit të luftës kthehen migrimet ekonomike. Sot dominon arsyeja ekonomike, bashkimi familjar. Kanë filluar të dalin në skenë arsyet e shkollimit , arsye shëndetësore dhe kjo është pak a shumë renditja e arsyeve të migrimit.

Radio Kosova: Sa është shqetësuese zonja Dushi, migrimi që ka Kosova,  tani a është normale apo jo, sidomos nëse shihen tendencat që gjithnjë mosha e re ta lëshojë vendin?

Mimoza Dushi: Unë nuk e shoh aspak shqetësuese. Ne sot jetojmë në kohën e globalizimit dhe popullsia e të gjitha vendeve është në lëvizje. Prandaj edhe në duhet të jetë në këtë kohë, për të qenë në hap me zhvillimet që ndodhin në vendet e tjera, natyrisht që edhe popullsia jonë lëviz. Lëvizin të rinjtë sepse është koha kur mosha 20-40 vjeçare, është pjesa më mobile e popullsisë, është mosha e cila përfundon pothuajse shkollimin, përgatitet për të ardhmen, por njëkohësisht është koha e cila, fillon karrierën, aplikimin e profesionit dhe në anën tjetër krijon familje dhe krijon bazën ekonomike të familjes, prandaj edhe është pjesa e popullsisë e cila më së shumti lëviz. Në Kosovë mesatarisht vendin e lëshojnë 10 deri në 12 mijë persona. Ka në trend të rritjes nga viti 2021. Nga pasur një trend të rritjes nga dhjetori i vitit 2014-deri në shkurt të vitit 2015. Ajo që është karakteristike në këtë periudhë është migrimit më shumë i femrave në raport me meshkujt. 53% janë femra që migrojnë dhe 47% janë meshkuj. Kjo na tregon se kryesisht migrojnë femra për arsye të bashkimit familjar. Ne sot e kemi gjeneratën e dytë të emigrantëve jashtë, kemi fëmijët e atyre që kanë migruar në vitet e 60-ta dhe 70-ta. Prandaj jemi shoqëri që nuk lirohemi ende nga normat tradicionale përkundër që jetojmë në vendet e  perëndimit. Pra, mërgata jonë preferon të ketë një bashkëshort që vjen nga Kosovë . Pra arsyet e migrimit janë arsye ekonomike dhe bashkimit familjar.

Radio Kosova: Zonja, Dushi, ju po përmendi moshën 20-40 vjeçare të cilët largohen kryesisht nga Kosova për arsye të karrierës. Por kjo është një largim i trurit të Kosovës, për të cilën Kosova sistematikisht investon dhe në fund vendet e tjera i marrin të gatshëm. Në këtë kontekst, nuk mendon që ko është shqetësuese për Kosovën?

Mimoza Dushi: Jo, ata dalin dhe zhvillohen në profesionin e tyre. Ne përfitojmë nga diaspora jonë, Ne si përfitim i shohim vetëm remitancat, por ne i përfitojmë edhe përvoja e tyre, përfitojmë zhvillim profesional. Largimet janë pozitive për faktin se deri në vitet e 90-ta, emigrantët tanë kanë punuar, punë të cilat nuk janë paguar mirë, kurse sot është element pozitiv. Vendet e perëndimit po e pranojnë profesionalizmin tonë.

Radio Kosova: Zonja Dushi, si do i zëvendësojmë ne si Kosovë këta kundra që largohen?

Mimoza Dushi:Është trend ndërkombëtar sot. A na ka pranuar Evropa neve, a e ka pranuar profesionalizmin tonë, ne duhet m’u përgatit edhe si popull, edhe si qeveri, që kemi për të pranuar emigrantë nga Linda e Mesme.

Radio Kosova: Do të thotë Lindja e Mesme shihet si alternative?

Mimoza Dushi: Shihet Afganistani, Irani etj. Do të thotë në të ardhmen kur ne shkojmë dhe na kontrollon një mjek nga Afganistani, do të na duket proces normal. Është rrjedhë e zhvillimeve të popullsisë sot. Vetëm një elementë është ku qeveria jonë duhet të ketë kujdes në të ardhmen në dy lloje politikash. Ne duhet të përfitojmë nga diaspora, por në anën tjetër në nivel global kanë filluar të ndryshojnë edhe trendët e lindshmërisë dhe kanë filluar të ndryshojnë edhe politikat e lindshmërisë. Ajo që  dua ta lidhi me migrimet është që migrimet e moshës 20 -40 vjeçare nuk ndikojnë vetëm në mungesën e punëtorëve në tregun e punës, por ndikojnë edhe në zvogëlimin e lindshmërisë. Pra, nuk zvogëlohet vetëm potenciali ekonomik i vendit, por në një periudhë është edhe zvogëlimi i lindshmërisë në nivel vendi. Politikat ndërkombëtare ka qenë deri sot që të jepen bonus për foshnje familjeve që kanë numër më të madh të fëmijëve. Edhe te ne sot shumë të diskutueshme janë bonuset që  jepen për foshnjat.  Në qoftë se shteti jep bonuse, ato duhet të kenë shumë kujdes se kush po i merr. Bonuset  shkojnë kryesisht te pjesët e margjinalizuar të shoqërisë. Gratë të cilat nuk punojnë, por këtë e shohin si përfitim . Kjo ndikon  në shtimin e varfërisë, por në  anën tjetër me kalimin e gjeneratave, shteti investon në shkollimin e tyre, por në anën tjetër duke mos investuar në zhvillimin politik edhe kjo popullsi është potencial për migrim. Prandaj vendet e tjera e kanë ndërpre  këtë qasje. Sepse përfituese në këtë nuk janë shtetet në zhvillim, por shtetet e zhvilluara, të cilat kanë prosperitet ekonomik e politik.

Radio Kosova: Pajtohemi që migrimi është proces i pandalshëm. Por e mendoni që shteti i Kosovës ka dështuar të paktën nëse jo ta ndalë, të paktën ta ngadalësojë procesin e migrimit, sidomos te moshat e reja, përmes politikave subvencionuese?

Mimoza Dushi: Të vetmen formë të politikave subvencionuese e shoh përmes investimeve. Personat që kanë dalë jashtë kanë krijuar një kapital ekonomik e profesional. Kanë ende lidhje emocionale me Kosovën. Ata kërkojnë dhe janë të gatshëm të vijnë në Kosovë për investuar. Kurse politikat që e ndalin ritmin e migrimit nuk janë gjëra që ne mund të ndikojmë ne trendët globalë.

Radio Kosova:Ndoshta mund të ndikojmë në rritje ekonomike, në GDP, në mirëqenien tonë, sepse po flasim për një popullatë që po kërkon vetëm një pagë më të mirë, për një sistem jete më të mirë. Në këtë kontekst, ndoshta mund të themi që shteti ynë nuk ka vepruar sa duhet?

Mimoza Dushi: Lindshmëria ka ra. Për audiencën që nuk e dinë, lindshmëria ka ra në vazhdimësi. Në Kosovë me përfundimin Luftës së Dytë Botërore një grua ka lindë 7-8 fëmijë. Sot shifrat nga burime të ndryshme flasin që jemi nën nivelin e zëvendësimit, që është 2.1. Pra, kur një çift bashkëshortor i lind dy fëmijë dhe e zëvendëson veten dhe ai 0.1 zëvendëson popullsinë e cila nuk është riprodhuese. Agjencia e Statistikave ka dalë me deklaratat e fundit që tregon se trendi i natalitetit ka rënë në 1.7, pra jemi nën nivelin e zëvendësimit, Sipas OKB, Bankës Botërore dhe EUROSTAT-it jemi diku me 1.5 ose 1.6, që do të thotë po zvogëlohemi. Në anën tjetër politikat të cilat deri tani kanë ndikuar në rritjen e lindshmërisë kanë filluar të tërhiqen. Nuk është më trend lindshmëria, është në trend migrimi. E migrimi kërkon politika të mirëqenies. Vendet kanë filluar të orientohen nga tri politika e që janë: politikat e mirëqenies, politikat e përgjegjshme për gratë dhe fëmijët dhe politikat e planifikimit familjar.

Radio Kosova: Ju përmendët faktorët ekonomikë dhe socialë. Si ndikon migrimi në zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës? A ka efekt pozitiv?

Mimoza Dushi: Ka efekt pozitiv. Pas pandemisë në kemi kaluar nivelin e remitancave mbi një miliard euro. A përfitojmë, përfitojmë sepse edhe ata sot e kanë  ndryshuar qëndrimet ndaj Kosovës, diaspora jonë sot ka filluar të ndryshojmë, por ata kanë shumë lidhje të forta me Kosovën. Ne kemi një mërgatë që fëmijët e tyre i kanë përgatit me idenë që do të kthehen në Kosovë . Emigrantët tanë janë shndërruar në emigrantë të përhershëm. Me përfundimin e luftës, kthimi në emigrantë të përhershëm ka filluar ta ndryshojë perspektivën. Ata nuk e shohin më alternativë kthimin, por ata kanë filluar të investojnë në fëmijët e tyre, që ata të kenë një punë dhe jetë më të mirë. Pra, të kenë integrim në vendet ku jetojnë. Tash ky element e largon gjeneratën e dytë dhe të tretë të emigrantëve. Ata kanë sot gatishmëri, jo për t’u kthyer në Kosovë, por për t’u kthyer përmes investimeve. Kjo gatishmëri nuk zgjat gjithmonë dhe politika kosovare duhet ta shfrytëzojë këtë.

Radio Kosova: E kjo gjeneratë që po migron sot, është gjenerata e parë. A do të krijohet një cikël i tillë që kjo gjeneratë pastaj do të krijojë  gjeneratën e dytë atje dhe ata pastaj nuk do të investojnë në Kosovë?

Mimoza Dushi: Ka shumë dallime për arsyen e migrimit. Unë thashë që në kaluarën ka pasur migrime ekonomike dhe politike, por  emigrantët kosovarë kanë lënë familjen në Kosovë dhe kanë emigruar me idenë që një ditë do të kthehen në Kosovë. Sot kemi migrime të vullnetshme dhe kjo formë e migrimit e zbehë pak lidhjen me vendlindjen.

Radio Kosova: Në janar të 2024 Kosovës i largohen vizat për të udhëtuar në zonën e Shengenit. Sektori privat ka filluar të alarmojë për mungesë të punëtorëve. A duket për ju alarmuese liberalizimi i vizave?

Mimoza Dushi: Jo është proces shumë normal. Ne do ta kemi një fluks të emigrantëve por që është një proces shumë i pritshëm. Liberalizimi ka kufizime, qëndrimi është deri në 90 ditë, nuk lejohet të punohet. Ndoshta liria e lëvizjes e zvogëlon mundësinë që të jemi në emigrantë të përhershëm. Diaspora jonë ka lidhje emocionale me Kosovën. Ata kanë gatishmëri të investojnë, por kërkojnë që ato investime të jenë të udhëhequra nga shteti. Qeveritë tona duhet të kenë vëmendje të posaçme për diasporën tonë. Shteti duhet t’i informojë ata për mungesat  në mënyrë që investimet e tyre të jenë të suksesshme. Kërkohet që të ketë skema nxitëse për biznese dhe lehtësira të tjera. Në ligjet që i kemi ne për investime, diaspora konsiderohet si e huaj, pra si një gjerman dhe si një shqiptar i Gjermanisë që vjen për të investuar, trajtohen njëjtë. Politika investuese kanë vendet e rajonit, por tek pothuajse mungojnë.

Radio Kosova: Ndonëse ne krenohemi për popullsi të moshës së re, trendit të plakjes së popullsisë nuk po i shpëton as Kosova.  A ka shteti i Kosovës politika stimuluese për shtim të natalitetit?

Mimoza Dushi: Rezultati i politikave të tilla është shumë i  gjatë dhe nuk ka efekt të qëndrueshëm. Ne jemi vend të tranzicion sot dhe femrat në Kosovë nuk janë shkëputur plotësisht nga normat tradicionale, por ato janë përfshi edhe në tregun e punës. Pra, në situatën ku jemi, ajo duhet të zgjedh a të orientohet nga familja apo karriera.

Radio Kosova: Ju jeni autore e një libri studimor “Femra dhe evolucioni i lindshmërisë në Kosovë” .Sa ka ndryshuar ky raport duke marrë për bazë ngritjen intelektuale të femrave dhe ndikimi në planifikim familjar më rënien e natalitetit?

Mimoza Dushi:Në moshën e studimeve sot Kosova e ka numrin më të madh të studenteve femra sesa meshkuj. Femra në vendin tonë po ndryshon, ato janë potencial që përfshihen në tregun e punës. Prandaj puna të cilën ato  do e bëjnë, fillimisht u jep pavarësi ekonomike dhe kjo e fundit të jep pavarësi individuale. Femrat tonë sot vendosin për numrin e fëmijëve që  duan t’i kenë, për moshën e  hyrjes në martesë, e cila sot është shtyrë dhe mosha e lindjeve është më e vonshme. Këto kanë ndikuar në zvogëlimin e numrit të lindshmërisë

Radio Kosova: A ka ndikimi globalizmi në pozitën e grave në Kosovë?

Mimoza Dushi:Ne jemi vend në tranzicion dhe si e tillë ndryshon edhe shoqëria. Nëse e krahasojmë pozitën e gruas me të kaluarën, ajo ka ndryshuar  rrënjësisht, por nëse e krahasojmë pozitën e tyre me ato të femrave të shteteve të zhvilluara, ka shumë për të bërë. Femra te ne ka më shumë pavarësi financiare e individuale, por nuk është shkëput plotësisht nga normat tradicionale. Në shkencat sociale ekziston një term për këtë lloj femrash që njihen si “super-femra”. Ato janë femra që shkollohen, orientohen në karrierë por edhe nuk shkëputen nga roli i tyre i të qenit bashkëshorte dhe nënë.

Radio Kosova:  Sivjet është paralajmëruar që në Kosovë do të kemi regjistrim të popullsisë. Në regjistrimin e fundit të viti 2011 ju nuk jeni pajtuar me statistikat që patën nxjerrë një popullatë prej 1.8 milion banorësh në Kosovë. Si vlerësoni që do të jetë ky regjistrim i popullsisë. Do të jemi me numër më pak, më shumë, aty?

Mimoza Dushi: Aty. Unë nuk jam pajtuar me regjistrimin e vitit 2011, por sot kemi hy në trendët globalë dhe regjistrimi i popullsisë është koncepcion global. Kjo i ka dy koncepcione, atë të popullsisë së përhershme dhe atë të popullsisë të pranishme. Prandaj në vitin 2011 ka ndryshuar metodologjia dhe koncepcioni dhe për këtë kemi dalë 1.8 milion dhe kjo ka ndryshuar krejt statistikat e tjera. Mirëpo, deri në vitin 1981 është regjistruar edhe diaspora e cila ka qenë jashtë, e në vitin 2011 me kërkesë të EUROSTAT-it nuk ka ndodhur kjo. Atëherë është regjistruar vetëm popullsia e pranishme dhe jo diaspora, sepse ata edhe tash me ligj kanë të drejtën të regjistrohen, por nuk hyjnë në numrin e popullsisë së përhershme. Proceset demografike nuk ndryshojnë por shteti duhet të krijojë politika për të mbajtur mirëqenien e popullsisë ekzistuese. Prandaj regjistrimi është ai që iu tregon qeverive se cilat janë nevojat e popullsisë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme