Çfarë kërkon të arrijë Vladimir Putini?

Sa është i fuqishëm Putini? Në Rusi, Vladimir Vladimirovich Putin, 64 vjeç, sundon si një car, me një kontroll pothuaj total të vendit. Ish-agjent i KGB-së, Putini është një strateg gjeopolitik me vetëdisiplinë të lartë dhe plot sekrete, të cilët ndryshe nga shumica e burrave rusë, nuk pi fare.

Ai udhëheq mbi një kult personaliteti, që duket qesharak për të huajt, pamjet e tij lakuriq nga mesi e lart mbi kalë, ndjekja e një tigri siberian, apo zhytja në Detin e Zi për të tërhequr objekte të lashta, janë të zakonshme në mediet ruse.

Por nacionalizmi i tij macho u pëlqen shumë rusëve, të cilët janë të dëshiruar për një udhëheqës të fortë, pas kaosit që mbretëroi në vijim të shembjes së Bashkimit Sovjetik, transmeton “Zeri.info”.

Regjimi i Putinit është i ndërthurur thellë me industrinë e naftës ruse dhe oligarkët miliarderë të vendit; si rezultat, pasuria e tij personale është e madhe, e vlerësuar rreth 40 miliardë dollarë në pallate, avionë, dhe aksione në kompanitë e naftës dhe banka. Jeta e tij private është misterioze: Ai u shkurorëzua nga bashkëshortja Lyudmila, pas 31 vjetësh, dhe rrallëherë i përmend dy bijat e tij. Sipas disa zërave, Putini ka pasur lidhje romantike me një gjimnaste olimpike dhe një modele kalendarësh.

Si erdhi në pushtet?

Nëpërmjet punës së FSB-së, pasardhëse e KGB-së sovjetike. Putin ishte një operativ i panjohur i FSB-së, kur agjencia detyroi presidentin e sëmurë Boris Jelcin që ta zgjidhte si kryeministër në gusht të vitit 1999. Putini kishte kaluar pesë vjet si spiun në Gjermaninë Lindore.

Vetëm një muaj pasi mori detyrën, një seri shpërthimesh në disa pallate tronditen Moskën, duke vrarë rreth 300 njerëz. FSB-ja fajësoi ekstremistët çeçenë, edhe pse ka dëshmi të forta që agjencia e spiunazhit i vendosi vetë bombat; masakra shërbeu si pretekst për një lufte të dytë të pamëshirshme, me qëllim nënshtrimin e provincës rezistuese myslimane të Çeçenisë.

Putini u bë fytyra e betejës, duke u zotuar në gjuhën e tij karakteristike të papërpunuar, për të eliminuar të gjithë terroristët “kudo që të jenë fshehur, madje edhe në vrimën e miut”. Deri në fund të vitit, Çeçenia ishte shkretuar, mijëra civilë çeçenë kishin vdekur, dhe Jelcini e kishte shpallur Putinin tashmë shumë popullor, si pasuesin e tij për president, përcjell “Zeri.info”.

Si ka qeverisur?

Putin është përpjekur për të forcuar pushtetin e Rusisë, kundër rrethimit prej Perëndimit, duke nisur luftëra në Gjeorgji dhe Ukrainë, si dhe duke ndërhyrë në Siri, në një shfaqje të hapur të forcës. Nacionalizmi i tij krenar e ka bërë shumë popullor mes rusëve, ndonëse sanksionet ndërkombëtare pas aneksimit të Krimesë, bashkë me një rënie të fortë të çmimeve të naftës, kanë dëmtuar rëndë ekonominë e brishtë të Rusisë. Prodhimi i brendshëm bruto i Rusisë ra nga $ 2.2 trilionë në vitin 2013, në $ 1.3 trilion në vitin 2015, më i ulët se ai i Italisë, Brazilit, apo Kanadasë. Vetëm 27 për qind e rusëve kanë kursime, dhe një rus apo një ruse tani shpenzon gjysmën e parave të tij ose të saj për ushqim. Megjithatë, shumë pak rusë ankohen.

Përse i futi hundët në zgjedhjet në SHBA?

Ka disa arsye. Njëra prej tyre, thonë shërbimet e inteligjencës të SHBA, ishte për hakmarrje ndaj Hillary Clintonit, e cila si Sekretare Shteti ka bërë deklarata të forta, ku dënonte manipulimin e dukshëm të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2011 në Rusi. Putini e fajësoi atë për demonstratat kundër tij, duke thënë se Clintoni i kishte dhënë “një sinjal” demonstruesve që punonin “me mbështetjen e Departamentit të Shtetit të SHBA-së” për ta minuar atë. Për mendjen e tij të stërvitur në KGB, SHBA-ja është prapa të gjitha kërcënimeve ndaj pushtetit të tij dhe ndaj interesave të Rusisë.

“Ne kemi nevojë që të mbrojmë veten nga këto ndërhyrje në punët tona të brendshme”, ka thënë Putini. Menjëherë pasoi një goditje ndaj disidencës, me arrestimin e protestuesve dhe miratimin e ligjeve të reja për ndalimin e tubimeve masive. Putini u shqetësua prej demonstratave në Rusi, për shkak se ato pasuan kryengritjet e pranverës arabe dhe rrëzimin e diktatorëve të tillë, si Hosni Mubaraku në Egjipti dhe Moamar Gadafi në Libi. Kështu që, ai dhe FSB-ja vendosën të hidhen në kundërsulm ndaj vetë demokracisë.

Një luftë kibernetike e sofistikuar kundër qeverive dhe institucioneve perëndimore, përdorimi i internetit dhe lajmeve të rreme për të mbjellë konfuzion, dhe mbështetja financiare për partitë nacionaliste të krahut të djathtë në Evropë. Shërbimet e inteligjencës së SHBA-së kanë arritur në përfundimin se rusët hakeruan zyrtarë demokratë, në radhë të parë për të dëmtuar besimin në demokraci dhe për të shkaktuar përçarje në vend, si dhe për të dëmtuar Clintonin dhe ndihmuar Donald Trumpin.

“Qëllimi i tij është që të diskreditojë procesin zgjedhor në SHBA”, tha analisti i Rusisë Arkady Ostrovsky në revistën “The Atlantic”. Nëse Perëndimi do te dukej “po aq hipokrit e cinik sa Rusia”, atëherë përse rusët, ose vende të afërta të tilla si Ukraina apo Gjeorgjia, do të donin ta imitonin atë? Me fjalë të tjera, Putini shpreson të ngrejë lart veten dhe Rusinë, duke ulur poshtë SHBA-në dhe Perëndimin. /The Week/. /ZËRI/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme