Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me presidentin palestinez Mahmud Abbas, për planin e ri të paqes për Lindjen e Mesme, mirëpo plani mund t’u kërkojë refugjatëve palestinezë të qëndrojnë aty ku janë, dhe të mos kthehen në tokat që tani i përkasin Izraelit.
“Dera jonë është gjithmonë e hapur ndaj udhëheqjes palestineze”, tha Kushner.
“Abbas e dëshiron paqen, por disa njerëz rreth tij nuk janë rehat me mënyrën se si e kemi adresuar këtë çështje, dhe reagimi i tyre natyror është të sulmojnë dhe të thonë gjëra të çmendura, që nuk janë konstruktive”, u tha Kushner, gazetarëve.
Komentet e tij mbi refugjatët palestinezë ka të ngjarë të ngrenë shqetësime mes palestinezëve, raporton Reuters.
Çështja e refugjatëve palestinezë ka qenë për dekada tema më e mprehtë e diplomacisë, negociatave dhe planeve të paqes për Lindjen e Mesme.
Izraeli e ka përjashtuar prej kohësh ndonjë zhvendosje të tillë, pasi e vlerëson si destabilizuese, duke argumentuar se refugjatët duhet të qëndrojnë aty ku janë, ose në një shtet të ardhshëm palestinez. Por, perspektivat e një shteti të tillë që do të lindte në Bregun Perëndimor të okupuar dhe Rripin e Gazës, janë nën dyshim.
I pyetur nga një gazetar libanez, nëse Shtetet e Bashkuara shpresonin që vendet arabe që strehonin refugjatë palestinezë, do t’i pranonin ato përgjithmonë në këmbim të financimit, Kushner nuk pranoi të përgjigjet drejtpërdrejtë, duke thënë se çështja do të trajtohej më vonë.
Por, ai sugjeroi një krahasim mes hebrenjve të zhvendosur nga vendet e Lindjes së Mesme në vitin 1948, shumë prej të cilëve i mori më pas Izraeli.
Në një konferencë në Bahrein javën e kaluar, Kushner zbuloi planin ekonomik prej 50 miliardë dollarësh për territoret palestineze, Jordanin, Egjiptin dhe Libanin.
Presidenti i autoritetit palestinez, Mahmud Abass, duke komentuar mbajtjen e konferencën, në të cilën nuk morën pjesë palestinezët, tha se zgjidhja politike është më e rëndësishme.
“Paraja është e rëndësishme. Ekonomia është e rëndësishme, por zgjidhja politike është më e rëndësishme”, pati deklaruar Abass.
Më vonë, gjatë këtij viti, Jared Kushner, do të paraqesë një plan prej 50 deri 60 faqesh, që do të ofrojë propozime për zgjidhjen e çështjeve të nxehta politike midis Izrealit dhe palestinezëve.
Kushner ka punuar për dy vite në këtë plan, të cilin presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e ka quajtur “marrëveshje të shekullit”.